HIB Petrol dyshohet për “vjedhje” të qytetarëve, naftën ua shiti mbi çmimin maksimal të lejuar nga shteti

Një nga kompanitë më të mëdha të derivateve në Kosovë, “Hib Petrol”, është përballur me kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse, pasi inspektorët pretendojnë se kompania nuk i ka respektuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e karburanteve, raporton portali Front Online.
Në bazë të vendimit të siguruar nga portali Front Online shihet se Inspektorati i Tregut në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të nisë procedurë kundërvajtëse ndaj kompanisë “Hib Petrol” dhe drejtorit të saj, Shkëlzen Heta.

Kërkesa mban datën 22 prill 2026 dhe, sipas dokumentacionit zyrtar, lidhet me dyshimet se kompania ka vepruar në kundërshtim me vendimin për përcaktimin e çmimeve maksimale të lejuara për produktet e naftës, raporton portali Front Online.
Gjetja më e rëndë e inspektorëve lidhet me shitjen e produktit “Diesel Performance”.
Sipas raportit, çmimi maksimal i lejuar për shitje ishte përcaktuar në 1.436 euro për litër, ndërsa nga analizimi i të dhënave rezulton se në një moment çmimi maksimal i aplikuar nga kompania kishte arritur në 1.566 euro për litër.

Kjo paraqet një diferencë, prej çmimi të lejuar nga shteti, raporton portali Front Online.
Nga dokumentet e siguruara nga portali shihet se kontrolli ishte realizuar nga inspektorët e MINT-it në bashkëpunim me inspektorë të Administratës Tatimore të Kosovës.
Gjatë kontrollit, kompanisë i ishte kërkuar dokumentacioni për blerjet dhe shitjet ditore të derivateve për periudhën 7 mars deri më 24 mars 2026. Inspektorët kanë analizuar faturat, kuponët fiskalë dhe çmimet e aplikuara për naftë, benzinë dhe produktet “performance”.

Pas analizimit të këtyre të dhënave, Inspektorati ka konstatuar se kishte bazë për procedim dhe i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Vendosja e çmimeve maksimale kishte për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe eliminimin e çrregullimeve në treg. Por sipas gjetjeve të inspektorëve, pikërisht ky kufizim dyshohet se është shpërfillur nga “Hib Petrol”.
Në praktikë, çdo cent mbi çmimin e lejuar është paguar drejtpërdrejt nga qytetari që ka mbushur rezervuarin e vet.
Front Online për këtë çështje i ka dërguar pyetje edhe kompanisë Hib Petrol, por as pas disa ditë pritjesh nuk ka arritur të marrë përgjigjeje nga ta.








