Tangoja e Kurtit me Abdixhikun, rundi II thekson mosmarrëveshjet për Presidentin – të dy palët i përmendin zgjedhjet

Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku mbrëmë shpërfaqën disi mosmarrëveshjet për Presidentin, pas takimit të dytë mes tyre pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Kryetari i LVV-së tha se nuk pati marrëveshje politike dhe se zgjedhjet e reja “fatkeqësisht mund të shkaktohen”. Ai tha se “nuk është kollaj” t’i tejkalojnë “të gjitha gjërat” deri nesër paradite, kur mbahet seanca konstituive e Kuvendit. Kryetari i LDK-së, ndërkaq, tha se dëshirojnë “me çdo kusht” t’i shmangin zgjedhjet e reja. Kërkoi “balancë demokratike” dhe tha se s’janë të interesuar për pozitën e kryeparlamentarit.
Për herë të dytë brenda dy muajsh, kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku u takuan mbrëmë Kuvend për të diskutuar për formimin e institucioneve të reja.
Për dallim prej takimit të parë, pas këtij mbrëmë, si Kurti, ashtu edhe Abdixhiku, e përmendën më shumë mundësinë për zgjedhje të reja, të cilat, megjithatë, thanë se nuk i duan dhe po përpiqen t’i shmangin.
Kurti tha se “ka edhe shumë vullnet dhe zell për të punuar bashkë” me LDK-në. Kjo gjë, tha ai, është “optimiste” për të dy subjektet politike dhe “një gjë shumë e mirë për vendin dhe për qytetarët në përgjithësi”.
Ndërsa tha se nuk ka marrëveshje politike, tha se zgjedhjet e reja “fatkeqësisht mund të shkaktohen”.
“Sa i përket takimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, përkatësisht me krerët e saj, lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi. Pra, diskutuam për qasje të ndryshme, për mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike e cila e respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron rezultatin zgjedhor edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe për funksionim të Republikës së Kosovës në mënyrë demokratike. Askush nuk i do zgjedhjet e reja, mirëpo nëse nuk do të kemi marrëveshje, nëse nuk do të kemi hapa përpara, përkundër mosdëshirës që të shkojmë në zgjedhje të reja, fatkeqësisht ato mund të shkaktohen. Për këtë jemi të vetëdijshëm edhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha ai.
Kurti tha se do të përpiqen “maksimalisht” dhe do t’i vazhdojnë “komunikimin dhe takimet”.
“Por, ndërkohë që e bëjmë këtë, meqenëse janë afruar ditët, koha është shkurtuar dhe do të na duhet që edhe në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike ditën e nesërme, pasnesër të jemi në fillimin e seancës kontituive të legjislaturës së 11”, tha ai.
Kurti tha se President duhet të jetë “një figurë e cila duhet të ngrohë zemrat e të gjithë qytetarëve të Republikës, në kuptimin e vlerave dhe meritave profesionale e shoqërore e kombëtare”, një personalitet i cili, siç e përshkroi ai, “do të kishte karakter shumë të mirëpritur nga popullsia” dhe “nuk do të paraqiste polin e katërt të pushtetit”.
“Do të duhej të ishte jashtë partive politike dhe njëkohësisht të mos ishte i përfshirë në polemikat ditore, le të themi”, tha ai.
“Pra, ne jemi të interesuar e të gatshëm të bashkëpunojmë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, sepse vendi ynë ka nevojë për progres të përshpejtuar, mirëpo sa i përket pozitës së Presidentit, qëndrimi ynë është që nuk do të duhej të jetë pjesë e pushtetit politik, por e përfaqësimit të Republikës. Ta shohim se çfarë do të sjellë komunikimi i ardhshëm”, tha Kurti.
Për emra konkret, tha se nuk kanë folur. Tha se “nuk është kollaj” t’i tejkalojnë të gjitha gjërat para seancës konstituive të Kuvendit, e cila mbahet nesër në orën 10:00.
“Kemi folur për rrugën përpara në bashkëpunimin e Lëvizjes Vetëvendosje me LDK-në, dhe meqenëse kemi pasur situata të pothuajse edhe rivalitetit në Kuvend shumë shpesh, nuk është kollaj tash që për këto, s’mund të them as pak ditë, por madje pak orë para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit, ne t’i tejkalojmë të gjitha gjërat. Megjithatë, po punojmë maksimalisht”.
Abdixhiku, i cili doli nga Kuvendi pak pas Kurtit, tha se LDK-ja dëshiron “me çdo kusht” t’i shmangë zgjedhjet e reja.
“Ky ishte takimi i dytë pas zgjedhjeve të 7 qershorit, me vullnet të mirë, me respektim të plotë edhe të rezultatit zgjedhor, por edhe të gatishmërisë sonë si Lidhje Demokratike e Kosovës që me çdo kusht t’i shmangim zgjedhjet e reja, të katërtat me radhë për më pak se dy vite. Besoj që kështu e respektojmë jo vetëm interesin e LDK-së, por interesin e Republikës së Kosovës, e cila ka nevojë për stabilitet institucional dhe për punë, më tepër sesa për dramë politike”, tha ai.
Takimi, tha ai, ishte “i mirë, i mbarë”. Me Kurtin, Abdixhiku tha se trajtuan “çështje të ndryshme programore, politike” dhe “të së ardhmes strategjike” të vendit.
Në ditët e ardhshme, ai tha se do të përpiqen të kenë “diskutime më thelbësore, më të detajuara”.
Abdixhiku kërkoi “balancë demokratike”.
“LDK-ja natyrisht se qëndron brenda parimeve tashmë të bëra publike: e para, që na duhet një marrëveshje gjithpërfshirëse, në mënyrë që të ruhet stabiliteti institucional, dhe e dyta, që është shumë e rëndësishme, të ketë balancë demokratike brenda institucioneve të Republikës. Dhe në këtë balancë demokratike, LDK-ja duhet të ndjehet e përfaqësuar, në të kundërtën, edhe kontributi i LDK-së, por edhe konstelacioni politik i ndërtuar s’do të ketë as forcën dhe as fuqinë e nevojshme”, tha ai.
Tha se do t’i vazhdojnë takimet me Kurtin “me po kaq vullnet të mirë”, dhe përmendi zgjedhjet e reja, nëse s’arrihet asgjë.
“Në qoftë se s’bëjmë asgjë, e vetmja gjë e garantuar do të jenë zgjedhjet e reja, dhe besoj që kjo s’është as lajm i mirë për popullin e Kosovës, as lajm i mirë për partitë politike. Prandaj edhe marrim pjesë në takime. Që të provojmë të japim më të mirën, të vetëdijshëm për interesin e vendit dhe të vetëdijshëm për politikat që i përfaqësojmë ne si LDK”, tha ai.
Abdixhiku tha se do të insistojnë që “të ruhet demokracia e Kosovës dhe që LDK-ja, në qoftë se mund të arrijë partneritet me palën tjetër, të ndjehet e përfaqësuar”.
Ai përmendi seancën konstituive të Kuvendit, ku do të zgjedhjet kryeparlamentari dhe nënkryetarët. Tha se LDK-ja “nuk ka asnjë apetit” për pozitën e kryetarit të Kuvendit.
“Në qoftë se deri më datë 6 gusht nuk ndodh asgjë, kemi kërkuar që të vazhdohet, të procesohet tutje me konstituimin e Kuvendit, sepse s’ka nevojë që të pritet. LDK-ja nuk ka asnjë apetit për kryetarin e Kuvendit sepse është figurë ceremoniale e cila duhet të përfaqësojë, siç e thotë Kushtetuta, propozimin e partisë së parë, dhe në këtë drejtim, LDK-ja e jep emrin e vet për nënkryetar të Kuvendit”, tha Abdixhiku.
Për çështje të tjera, Abdixhiku tha se “kemi afat kohor shtesë”, duke iu referuar afateve të tjera për zgjedhjen e Presidentit dhe të qeverisë së re.
“Sa më herët që bëjmë zgjidhje, më mirë, sepse Kosova ka shumë probleme e shumë sfida përpara, dhe në këtë drejtim duhet t’i japim zgjidhje konkrete”, tha ai.
I pyetur për deklaratën e Kurtit se LVV-ja kërkon një President “jashtë partive politike”, Abdixhiku tha se “president konsensual, është secili president që i merr 80 vota”.
“LDK-ja duhet të ndjehet e përfaqësuar në institucionet e Kosovës për t’i pasur votat e veta”, tha ai.
Me refuzimin e Partisë Demokratike të Kosovës për takim – e cila tha se do të mbetet në opozitë – për zgjedhjen e Presidentit, Kurti duhet të llogarisë në votat që mund t’i mbërrijë me LDK-në, nëse nuk dëshiron t’i marrë parasysh gjashtë kërkesat e Aleancës, e cila refuzoi gjithashtu takimin me të.
LVV-ja me 53 deputetë, së bashku me disa deputetë të minoriteteve, i ka votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë së re. Për zgjedhjen e Presidentit i duhen edhe votat e LDK-së, e cila i ka 18 deputetë. Por, disa deputetë të kësaj partie që janë shumë të zëshëm kundër LVV-së dhe të cilët kanë kërkuar largimin e Abdixhikut nga drejtimi i partisë, mund të bëhen problem në këtë llogaritje.
Nesë në orën 10:00 mbahet seanca konstituive e Kuvendit dhe pasi të jenë zgjedhur kryeparlamentari dhe nënkryetarët, fillon automatikisht procedura për zgjedhjen e shefit të shtetit, e cila duhet të përfundojë brenda 60 ditësh./Express/








