Tha se do të festojë nëse dënohen krerët e UÇK-së, mërgimtari denoncohet në autoritetet gjermane

Antik Strofci, kryetari i degës së PDK-së në Hannover të Gjermanisë, i është drejtuar autoriteteve gjermane lidhur me një koment të publikuar në faqen e Facebook-ut “SkenderajLive”, të cilin e konsideron me relevancë të mundshme penale.
Komenti është publikuar nga një profil me emrin “Albin Rashica” dhe përmban fjalinë: “Un dal ne Prishtin kur te denohen per vdekje.” Sipas Strofci-t, nga konteksti i postimit, komenti duket se i referohet ish-drejtuesve të UÇK-së të përmendur në publikim.
Në shkresën e tij drejtuar organeve kompetente në Hannover, kryetari i degës së PDK-së ka kërkuar që të shqyrtohet nëse deklarata mund të ketë relevancë penale sipas ligjit gjerman, përfshirë mundësinë e nxitjes publike për kryerjen e veprave penale apo dispozita të tjera përkatëse.
Strofci ka kërkuar gjithashtu që të identifikohet personi që qëndron pas profilit dhe që autoritetet të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore.
Si provë, ai ka bashkëngjitur screenshot-in e komentit, ndërsa ka bërë të ditur se mund të vërë në dispozicion edhe lidhjen e postimit origjinal dhe materiale të tjera nëse autoritetet i kërkojnë.
Sipas qëndrimit të tij, komentet e tilla publike duhet të shqyrtohen nga organet kompetente dhe të vlerësohet nëse përmbajnë elemente të ndonjë vepre penale.
Tash mbetet në dorë të autoriteteve gjermane të vlerësojnë përmbajtjen e komentit, të identifikojnë personin nëse është e mundur dhe të përcaktojnë nëse ka bazë për veprime të mëtejshme ligjore.








