
Një rast i rëndë është raportuar gjatë fundjavës në fshatin Korilë të komunës së Zveçanit, ku një burrë është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij, shkruan Mitropol.
Rasti, që dyshohet të ketë ndodhur mes datave 17 dhe 20 tetor 2025, ka alarmuar banorët e zonës, ndërsa autoritetet janë angazhuar menjëherë për të zbardhur rrethanat e vdekjes.
Njësitet policore së bashku me ekipin mjekësor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e viktimës.
Pas ekzaminimeve fillestare, me vendim të prokurorit të rastit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për kryerjen e obduksionit dhe përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes.
Burime nga Policia e Kosovës bëjnë të ditur se rasti është cilësuar si “Hetim i vdekjes” dhe se hetimet janë në vazhdim për të kuptuar nëse bëhet fjalë për ndonjë vdekje natyrale apo të dyshimtë./Mitropol/







