12-vjeçarja mitrovicase rrah*et nga një vajzë rreth 18 vjeçe nga Prizreni në Mitrovicë, ngjarja u filmua dhe iu dërgua si kërcënim edhe një vajze tjetër

Një incident shqetësues dyshohet se ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, tek parku i qytetit në Mitrovicë, ku një vajzë 12-vjeçare dyshohet se është sulmuar nga një vajzë tjetër rreth 18-vjeçare.
Sipas informacioneve jozyrtare që ka siguruar “Mitropol”, ngjarja ka ndodhur më 21 gusht 2026, rreth orës 20:00. Vajza që dyshohet se është e moshës rreth 18-vjeçare dyshohet se kishte ardhur nga Prizreni si mysafire në Mitrovicë.
Në rast dyshohet se është përfshirë edhe një vajzë tjetër, e cila besohet se e ka regjistruar me telefon momentin e sulmit.
Sipas burimeve të “Mitropol”, vajza që dyshohet se ka filmuar ngjarjen është nxënëse në të njëjtën shkollë fillore me 12-vjeçaren e sulmuar. Burimet pretendojnë se e njëjta ka pasur edhe më herët incidente në ambientet e shkollës.
Për një rast të mëparshëm, sipas këtyre informacioneve, organet e rendit dyshohet se kanë ndërhyrë, ndërsa vajza ishte shoqëruar në stacionin policor në praninë e prindërve.
Në videon që ka siguruar “Mitropol” shihet se si e mitura 12 vjeçare goditet me shuplaka dhe grushte nga vajza tjetër, e cila dëgjohet duke i thënë: “A shan me nanë ma? Qite ftyrën ta shohim a ki ftyrë.”, gjersa viktima dëgjohet duke qarë me dënesë.
Por, rasti nuk përfundoi vetëm me sulmin dhe filmimin.
Sipas informacioneve të siguruara nga “Mitropol”, videoja dyshohet se më pas iu është dërguar edhe një vajze tjetër nga po e njejta shkollë, e shoqëruar me kërcënimin se një fat i ngjashëm mund ta presë edhe atë.
“Mitropol” ka siguruar të dhëna identifikuese lidhur me vajzat e përfshira në këtë rast, përfshirë edhe informacionin për shkollën ku ndjekin mësimin.
Megjithatë, për shkak të moshës së të miturave dhe ndjeshmërisë së rastit, këto të dhëna nuk do të publikohen, me qëllim mbrojtjen e identitetit dhe privatësisë së viktimës dhe të miturave të tjera të përfshira.
“Mitropol” është i gatshëm që të dhënat dhe materialet që posedon t’ua ofrojë Policisë së Kosovës, nëse ato kërkohen për hetimin dhe dokumentimin e rastit.
Deri në publikimin e këtij raportimi, “Mitropol” nuk ka informatën në rast se rasti është raportuar tek Policia e Kosovës dhe për këtë arsye, pretendimet e mësipërme paraqiten si informacione jozyrtare që janë siguruar nga burime të portalit.
Rasti mbetet për t’u verifikuar nga organet kompetente.
Shënim: Personat e përfshirë në video prezumohen të pafajshëm deri në një vlerësim dhe hulumtim ligjor të situatës nga organet e rendit








