Argjentari rreth 55 vjeçar mitrovicas gjindet i vdekur në lokalin e tij në Mitrovicë, Policia heton rastin, dyshohet për vetëvrasje

Një person i moshës rreth 55 vjeçare është gjetur i vdekur mbrëmë në lokalin e tij në lagjen e njohur si “Lagjja e Kovaçëve”, tek argjentarët në Mitrovicë, mëson ekskluzivisht “Mitropol”.
“Mitropol” mëson nga burimet e veta se bëhet fjalë për një argjentar, i cili dyshohet se kreu vetëvrasje.
Në vendin e ngjarjes mbrëmë pas mesnate ishin Policia, ekipet emergjente dhe ekipet e mjekësisë ligjore.
Rastin e vdekjes e konfirmoi për “Mitropol” edhe zëdhënësi i Policisë për Mitrovicën, Avni Zahiti.
Ai tha se rreth orës 00:17, Policia është njoftuar për një rast, ku në lokalin e tij është gjetur pa shenja jete një person, mashkull rreth 55 vjeç.
“Bazuar në të dhënat dhe veprimet fillestare në vendin e ngjarjes, dyshohet se rasti mund të jetë i ndërlidhur me vetëvrasje. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), për obduksion.”, thuhet në përgjigjen e Zahitit për “Mitropol”.
Mitropol posedon edhe identitetin e plotë të viktimës.
Hetuesit policorë, në koordinim me prokurorin kompetent, kanë nisur hetimet dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.








