Dokumenti “Top Sekret” në telefonin e Shehollit: Fondet e ambasadave islamike të investohen për xhami në Kosovë

Një dokument i cilësuar “Top Sekret 2”, i gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, është pjesë e provave të përfshira në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Sipas aktakuzës, dokumenti përmban një plan politik dhe strategjik, që pretendohet se synonte zgjerimin e ndikimit të radikalizimit islamik në Kosovë dhe rajon, si dhe destabilizimin e vendit.
Prokuroria pretendon se më 5 gusht 2025, Sheholli ia kishte dërguar dokumentin një personi të identifikuar si Viktor Makedonija.
Dokumenti, i shënuar në prapavijë me fjalën “CONFIDENTIAL”, përmend përfshirjen e personave me ndikim në sport, media, muzikë dhe politikë.
Sipas përshkrimit të aktakuzës, plani parashihte financimin dhe ndërtimin e xhamive, zgjerimin e shkollave fetare dhe krijimin e rrjeteve të personave nga Kosova dhe rajoni. Po ashtu, synohej ndikimi te komunitetet shqiptare jashtë Kosovës.
Një nga pretendimet më të rënda në dokument lidhet me krijimin e një atmosfere që do të nxiste largimin e të rinjve nga Kosova dhe forcimin e identifikimit fetar të një pjese të shoqërisë.
Në dokument, sipas Prokurorisë, përmendet edhe një skenar ekstrem se pas 20 vjetësh Kosova do të dukej “si Kandahar”.
Prokuroria pretendon se qëllimi përfundimtar i këtij skenari ishte krijimi i një perceptimi ndërkombëtar për Kosovën si shtet i radikalizuar dhe i destabilizuar, me synimin që kjo të ndikonte në qëndrimin e vendeve perëndimore dhe, në fund, në kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë.
Pretendimet janë pjesë e aktakuzës dhe duhet të trajtohen si të tilla deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Përmbajtja e dokumentit e përkthyer në shqip:
“Pasi që të bëjmë marrëveshje me operativet tanë në Kosmet, mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd shumica e këtyre parave do të investohen në ndërtimin e xhamive. Xhamitë duhet të ndërtohen në vende të dukshme si afër auto udhëve, shkollave, qendrave tregtare ndërsa xhamitë ne fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen”
“Pranë xhamive, shkollat islamike (mdereset) duhet te shtrihen në të gjithë vendin edhe në ato vende ku interesimi është më i vogël, fëmije dhe të rritur duhet të barten nga vendet ku feja është më e rëndësishme se kombi si nga vendet Mitrovicë, Vushtrri, Djeneral jankovic, Kaqanik, Dragash dhe Prizren. Krahas operativëve Shqiptar kontribut të madh do të japin edhe njerëzit tanë nga Maqedonia, Bosnja dhe Sanxhaku duke përfshirë Romët dhe Ciganet të cilët janë të gatshëm të punojnë per ne dhe të aktivizohen në Islam.
Udhëheqësit e bashkësive islamike të Serbisë, Maqedonisë, Bosnes, Kosmetit janë nën kontrollin tonë dhe po punojnë qe sa me shume të inkuadrojnë njerëz me kombësi Shqiptare me ndikim ne Sport , media muzike dhe politike. Edhe në disa parti politike kemi njerëzit tanë të cilët punojnë për ne dhe të cilët e përkrahin fuqishëm islamin dhe të cilët janë të lidhur me udhëheqësit islam të cilët janë duke shpërndarë islamin edhe në vendet ku nuk ka pasur kurrë xhami.
Ne vendet perëndimore janë deleguar njerëzit tanë nga bashkësitë islame nga Kosova dhe Sanxhaku të cilët janë nën urdhrat e ambasadave tona në Zvicër, Gjermani dhe Belgjike. Me këtë do te arrijmë që ti ndajmë Shqiptarët të cilët jetojnë jashtë shteti kryesisht në Zvicër dhe Gjermani ku jetojnë Shqiptarët më të pasur dhe me të fuqishëm të cilët e kanë përkrahur Rugovën.
Poshtë në Kosmet duhet të krijohet atmosfera ashtu që njerëzit të ndjehen sikur po jetojnë në një shtet të huaj kështu që një pjesë e rinisë do të ikë jashtë Kosovës dhe një pjesë do të vendosin për fenë islame. Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar. Fuqitë perendimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do te vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë.
Kur kjo të arrihet Serbia do ti ketë duart e lira të përsëris përndjekjen e Shqiptareve në Turqi mirëpo këtë herë jo përmes forcës por përmes udhëheqësve fetarë për punësim dhe duke ju ofruar super kushte për migrim në Turqi. Për këtë Serbia ka dritën jeshile nga shteti i Turqisë”.








