Active 2
KOSOVËLAJME

Pas Walkerit – edhe DioGuardi u shkruan liderëve partiakë, propozon Faton Bislimin për president

 

DioGuardi, ish-kongresmen republikan në këtë letër drejtuar partive politike, ka propozuar Faton Bislimin për president.Telegrafi ka siguruar letrën e ish-kongresmenit DioGuardi, ndërsa thuhet se Kosova ka nevojë për një president, gjersa u bën thirrje liderëve politikë që emrin e Bislimit ta shqyrtojnë mbi bazën e meritave dhe jo të preferencave politike ose personale.

Aurora Group

Më poshtë mund ta lexoni letrën e plotë të DioGuardit:

Apel për konsensus dhe propozim i një kandidati për president

Ju shkruaj me një ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe dashurie për një vend, lufta e të cilit për liri ka qenë një nga kauzat përcaktuese të jetës sime.

Për më shumë se tri dekada, kam qëndruar përkrah popullit të Kosovës. E kujtoj Kosovën e viteve ’90 – shtypjen, vuajtjet dhe guximin e jashtëzakonshëm të një populli që refuzoi të hiqte dorë nga ëndrra e tij për liri. E kujtoj gjithashtu Kosovën që doli nga lufta, duke vendosur shpresë dhe besim të jashtëzakonshëm te Shtetet e Bashkuara dhe bota demokratike.

Kjo histori mbart një përgjegjësi. Sot, Kosova ndodhet sërish në një udhëkryq të rëndësishëm. Mospajtimet politike janë pjesë e demokracisë, por paraliza institucionale prek shumë më tepër sesa partitë politike. Ajo prek familjet, të rinjtë, bizneset, partnerët ndërkombëtarë dhe çdo qytetar që dëshiron ta shohë Kosovën të ecë përpara. Vendi nuk mund ta përballojë një tjetër cikël, në të cilin ngërçi politik çon në zgjedhje, zgjedhjet çojnë në një tjetër bllokadë dhe cikli fillon përsëri.

Populli i Kosovës meriton më mirë. Ata meritojnë institucione funksionale, liderë politikë të gatshëm t’i vendosin interesat e Republikës mbi përfitimet partiake dhe një president të aftë ta bashkojë vendin, në vend që t’i thellojë ndarjet e tij.

Gjatë vizitës sime këtu, kam mësuar se liderët politikë të Kosovës kanë diskutuar për cilësitë dhe kriteret që duhet t’i përmbushë një kandidat konsensual për president. Sipas këndvështrimit tim, Kosovës i duhet dikush që mund të fitojë besimin e më shumë se një kampi politik; të angazhohet me qeverinë dhe opozitën pa u shndërruar në instrument të asnjërës palë; të përfaqësojë të gjithë qytetarët dhe komunitetet e Kosovës; si dhe të flasë në emër të Republikës me kredibilitet dhe dinjitet në Uashington, Bruksel dhe kryeqytete të tjera ndërkombëtare.

Në këtë frymë, me respekt ju kërkoj që të merrni në konsideratë Faton Bislimin.

Fatonin e njoh prej më shumë se dy dekadash dhe kam parë përkushtimin e tij ndaj Kosovës dhe zhvillimin e tij si shërbyes publik. Historia e tij është thellësisht e lidhur me rrugëtimin e vetë Kosovës. I formësuar nga lufta dhe zhvendosja, ai ndoqi studimet në Amerikën e Veriut, përfshirë diplomimin në Harvard, krijoi një kuptim të drejtpërdrejtë të institucioneve demokratike amerikane dhe i shërbeu Republikës së Kosovës si deputet i Kuvendit. Ai ka vazhduar të punojë në qarqe politike, akademike, qytetare dhe ndërkombëtare për forcimin e Kosovës dhe marrëdhënieve të saj me Shtetet e Bashkuara. Për punën e tij, ai ka fituar respektin e shumë njerëzve, jo vetëm në botën shqiptare, por edhe në SHBA dhe më gjerë.

Por një President duhet të jetë më shumë sesa një biografi profesionale. Një President duhet të ketë karakter, pavarësi dhe gjykim të shëndoshë. Institucioni i Presidencës duhet t’i përkasë Republikës, jo një partie. Presidenti duhet të jetë i aftë të dëgjojë pa hequr dorë nga parimet, të mos pajtohet pa krijuar armiq dhe të përfaqësojë qytetarë, zgjedhjet politike të të cilëve mund të jenë të ndryshme nga të tijat. Dhe unë besoj se Faton i posedon këto cilësi.

Gjithashtu besoj se aftësia e tij për të ndërtuar ura është pikërisht ajo që Kosovës i nevojitet sot – ura mes gjeneratave, mes Kosovës dhe diasporës së saj, mes Prishtinës dhe Uashingtonit, si dhe mes forcave politike që sot janë të ndara. Fatoni e ka dëshmuar tashmë, gjatë shumë vitesh, se është i aftë ta bëjë këtë, edhe në kohën kur nuk ka mbajtur asnjë post të zgjedhur.

Sjellja e Fatonit në postin e Presidentit nuk do të ishte një nderim për të, por një mundësi që Presidenca t’i shërbejë popullit të Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme. Mosshfrytëzimi i një mundësie të tillë do të nënkuptonte dështimin për të përmbushur pikërisht premtimin që ka bërë secili përfaqësues i zgjedhur – t’u shërbejë interesave më të mira të vendit.

Prandaj, kërkesa ime e vetme është që, ndërsa liderët politikë kalojnë nga diskutimi për kriteret te shqyrtimi i emrave, emri i Faton Bislimit të vendoset në tryezë dhe të shqyrtohet mbi bazën e meritave të tij, e jo mbi bazën e preferencave politike apo personale të kujtdo.

Kosovës nuk i duhet një tjetër President që bëhet çmimi në fund të një gare politike. Kosovës i duhet një President që mund të bëhet simbol i përfundimit të kësaj gare.

Populli i Kosovës tashmë e ka dëshmuar guximin, qëndrueshmërinë dhe besimin e tij në demokraci. Tani liderët e tij politikë kanë mundësinë të dëshmojnë diçka po aq të rëndësishme: guximin për të bërë kompromis për hir të Republikës.

Besoj se Kosova ndodhet pikërisht në një moment të tillë. Për këtë arsye, me respekt ju kërkoj që ta konsideroni Faton Bislimin – jo si kandidat të një partie apo kampi politik, por si një kosovar me përvojën, karakterin, njohuritë ndërkombëtare dhe pavarësinë e nevojshme për të shërbyer si President i Republikës së Kosovës në një moment kur vendi i tij ka më së shumti nevojë për konsensus.

Duke pasur parasysh arsimimin, përvojën, aftësitë politike dhe përkushtimin e tij ndaj vendit mbi gjithçka tjetër, nuk mund të mendoj për dikë tjetër më të përgatitur për të shërbyer si President i Kosovës.

Zgjedhja përfundimisht do të jetë e juaja, por unë besoj se Faton Bislimi është zgjedhja e duhur. Historia do ta gjykojë këtë brez të liderëve jo vetëm nga ajo se kë zgjedhin, por edhe nga fakti nëse kanë qenë në gjendje të gjejnë gjuhën e përbashkët atëherë kur Kosovës i është dashur më së shumti – duke i ofruar vendit një President për të gjithë, të aftë të shërbejë me dinjitet, integritet dhe etikë, si dhe të gatshëm ta çojë vendin përpara që nga dita e parë e mandatit.

Me respekt të thellë dhe miqësi të qëndrueshme për popullin e Kosovës.

Ndryshe, letra e njëjtë u është dërguar katër partive më të mëdha, LVV, PDK, LDK dhe Aleancës.

Image

Image

 

Koha