
Ajo që “Mitropol” e raportoi ekskluzivisht mbrëmë pas mesnatës, sot ka marrë një kthesë tragjike. 14-vjeçari që u godit me thikë në Prizren ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Mbrëmë, “Mitropol” raportoi ekskluzivisht se një i mitur ishte therur me thikë në lagjen “Jeni Mahallë” në Prizren dhe se ishte dërguar me autoambulancë për trajtim mjekësor.
Sipas dëshmitarëve që folën për “Mitropol” në orët e para pas ngjarjes, i mituri kishte qenë i gjakosur dhe ishte transportuar me urgjencë drejt spitalit. Po ashtu, dëshmitarët kishin deklaruar se personi i dyshuar kishte tentuar t’i sulmonte edhe shokët e viktimës, të cilët kishin arritur të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Në vendngjarje kishte dalë menjëherë Policia e Kosovës, ndërsa “Mitropol” raportoi për rastin derisa ende nuk dihej gjendja shëndetësore e të miturit.
Sot, Policia e Kosovës ka konfirmuar se 14-vjeçari nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka vdekur në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pavarësisht përpjekjeve të ekipeve mjekësore.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyçi, Policia është njoftuar për rastin rreth orës 23:45, ndërsa ekipet emergjente i kanë dhënë ndihmën e parë të miturit dhe e kanë dërguar në spital.
Pak më larg vendngjarjes, Policia ka identifikuar dhe arrestuar një 17-vjeçar, te i cili është gjetur dhe sekuestruar një thikë që dyshohet se është përdorur në rast.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 24 orë.
Rasti mbetet nën hetim.








