Dukato 2
02KOSOVËLAJME

Sekuestrohen pajisje telekomunikuese të vendosura tek të dyshuarit e arrestuar për dallavere me patent-shoferë në Mitrovicë

Policia e Kosovës ka konfirmuar sot se ka ndaluar katër persona nën dyshimet për keqpërdorim gjatë testit për patentë shofer.

Ndalimi i tyre është bërë, pasi forcat e rendit kanë njoftuar se kanë ndërmarrë veprime operative dhe hetimore lidhur me dyshimet për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme me qëllim të ndihmës së kandidatëve për kalimin e testit me shkrim për patentë shofer.

Premium Store

Sipas njoftimit, këto veprime janë kryer bga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësia Rajonale në Mitrovicë-Jug.

Në njoftim thuhet se hetimet, të cilat kanë filluar në bazë të informacioneve të pranuara, kanë rezultuar me sigurimin e provave dhe informacioneve që ngrenë dyshime të arsyeshme se persona të caktuar, në bashkëveprim, kanë përdorur pajisje të ndryshme telekomunikuese dhe teknologjike për t’iu mundësuar kandidatëve marrjen e përgjigjeve nga distanca gjatë testimit.

“Në kuadër të zhvillimit të mëtejmë të hetimeve, më 31 gusht 2026, Policia e Kosovës ka pranuar informacione lidhur me dyshimin se disa kandidatë do të hynin në testin me shkrim për patentë shofer duke përdorur pajisje të komunikimit. Pas ndërmarrjes së veprimeve të menjëhershme policore, është ndaluar një automjet, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar pajisje të dyshuara për përdorim gjatë testimit.”, thuhet në njoftim.

Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, sipas njoftimit, janë realizuar edhe bastisje në dy lokacione të ndryshme.

“Gjatë bastisjeve nuk janë gjetur sende të dyshuara. Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar: pajisje të komunikimit, vendosura tek të dy nga te dyshuarit; dhe katër telefona mobilë.”, thuhet tutje.

Sipas njoftimit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, katër nga personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa një person është liruar dhe rasti ndaj tij do të procedohet në procedurë të rregullt.

“Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë veprime të mëtejme hetimore me qëllim të dokumentimit të plotë të rastit dhe identifikimit të të gjithë personave të mundshëm të përfshirë. Rasti mbetet nën hetim në Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Mitrovicë-Jug.”, thuhet në njoftim.

Dukato 1