Aquapark 1
KOSOVËLAJME

Kryesia e LDK-së miraton njëzëri kandidaturën e Bekim Sejdiut për President

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka miratuar me unanimitet të plotë marrëveshjen politike të arritur me Lëvizjen Vetëvendosje dhe ka mbështetur nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës, njofton Mitropol.

Përmes një deklarate të publikuar sot, LDK-ja ka bërë të ditur se vendimi është marrë në kuadër të autorizimeve të dhëna nga Kuvendi i partisë dhe në ushtrim të përgjegjësive statutare të Kryesisë.

Active 1

Sipas LDK-së, marrëveshja politike synon tejkalimin e krizës institucionale dhe përmbylljen e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.

Partia ka theksuar se vendimi nuk lidhet vetëm me zgjedhjen e një individi, por mbi të gjitha me ruajtjen e institucioneve të Republikës, shmangien e një krize të re politike dhe krijimin e kushteve për funksionim të qëndrueshëm institucional.

“Interesi i shtetit dhe detyrimi ndaj rendit kushtetues kanë qenë dhe mbeten orientimi themelor i veprimit tonë”, thuhet në deklaratën e Kryesisë.

LDK-ja: Sejdiu i përmbush kriteret për President

Në deklaratë, LDK-ja ka vlerësuar edhe profilin e kandidatit të dakorduar me LVV-në.

Sipas kryesisë së partisë, Bekim Sejdiu ka integritet të dëshmuar, përgatitje të lartë profesionale dhe përvojë institucionale, duke e cilësuar atë si një kandidat që mund ta përfaqësojë unitetin e popullit.

LDK-ja ka përmendur përvojën e Sejdiut si jurist, profesor universitar, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

“Kryesia vlerëson se kandidatura e tij i shërben nevojës së vendit për një President që qëndron mbi ndarjet partiake, respekton me përpikëri Kushtetutën dhe përfaqëson Republikën me seriozitet brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në deklaratë.

Partia ka vënë theks të veçantë edhe te orientimi euroatlantik i Kosovës, duke e parë kandidaturën e Sejdiut në funksion të këtij orientimi.

Thirrje deputetëve të LDK-së për respektimin e vendimit

Kryesia e LDK-së u ka bërë thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar që gjatë procesit të votimit të veprojnë në përputhje me autorizimet e Kuvendit të partisë dhe vendimin e Kryesisë.

Sipas deklaratës, respektimi i vendimeve të organeve të partisë lidhet edhe me mandatin politik dhe besimin e anëtarësisë.

“Përgjegjësia ndaj Republikës duhet të qëndrojë mbi çdo konsideratë tjetër”, thuhet në deklaratë.

Ky qëndrim i Kryesisë vjen një ditë pas marrëveshjes së arritur mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për ta propozuar Sejdiun si kandidat të përbashkët për President. Marrëveshja është arritur pas një periudhe të gjatë të ngërçit institucional.

Hoti kundër, Manaj pret mbështetje

Pavarësisht vendimit unanim të Kryesisë, brenda LDK-së sot, dje është shfaqur edhe kundërshtim ndaj kandidaturës.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar dje se nuk do ta përkrahë kandidaturën e Sejdiut, duke argumentuar se Presidenti duhet të jetë një figurë unifikuese dhe se, sipas vlerësimit të tij, kjo kandidaturë nuk e përmbush këtë kriter. Hoti ka thënë gjithashtu se kandidatura nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të LDK-së dhe elektoratit të saj.

Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj, është shprehur ndryshe. Ai ka thënë se është i bindur se edhe Hoti do ta mbështesë në fund zgjedhjen e Sejdiut për President.

Mbetet të shihet nëse qëndrimi i Hotit do të mbetet individual apo nëse në Grupin Parlamentar të LDK-së do të ketë edhe deputetë të tjerë që nuk do ta mbështesin kandidaturën.

Ndërkohë, LDK-ja, përmes vendimit të sotëm të Kryesisë, e ka bërë të qartë qëndrimin e saj zyrtar: partia mbështet Bekim Sejdiun për President të Republikës së Kosovës./Mitropol/

Koha