
Policia Kufitare e Shqipërisë ka gjetur në një nga kontejnët në portin e Durrësit tre armë zjarri dhe 1580 fishekë, që gjendeshin brenda një Land Roveri të destinuar nga Kosova për në Republiken Demokratike të Kongos, shkruan Mitropol.
Armet dhe fishekët, sipas policisë në Shqipëri, u gjetën në një Land Rover i cili ishte ndaluar nga dogana në vitin 2022, pasi dërguesi nuk ishte paraqitur për të kryer veprimet doganore.
Kontejneri u hap me 4 qershor nga Autoriteti i Doganës në Durrës.
Automjeti ishte nisur nga Kosova, vend tranzit e kishte Shqipërinë, e do shkonte drejt Republikës Demokratike të Kongos.
Thuhet se në lidhje me rastin, është shpallur në kërkim shtetasi kosovar Y.I., 24 vjeç.
Nga veprimet hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe asaj Kufitare të Portit Durrës për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje është bërë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të posedimit të armëve dhe të përfshirë në trafikimin e armëve dhe municioneve nga Kosova me destinacion Republikën Demokratike të Kongos. Konkretisht u shpall në kërkim shtetasi kosovar Y. I, 24 vjeç dhe vijon puna në bashkëpunim me Policinë e Kosovës për lokalizimin dhe kapjen e tij”, bëri me dije policia.
Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për t’ju nënshtruar ekzaminimeve teknike, balistike dhe daktiloskopike.








