Shtënë me armë në mes të ditës, dy të rinj arrestohen në Vushtrri, njëri i mitur, u gjindet kallashi në veturë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së shtunës në qytetin e Vushtrrisë, ku dy të rinj, mes tyre edhe një i mitur, janë arrestuar nga policia nën dyshimin për posedim të paautorizuar dhe përdorim të armëve të zjarrit, njofton Mitropol.
Sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, incidenti ka ndodhur rreth orës 14:00, më 8 nëntor 2025, kur patrullat policore kanë reaguar pas njoftimeve për të shtëna me armë zjarri në një zonë të qytetit. Të dyshuarit janë kapur pak pas ngjarjes, ndërsa policia ka ndërmarrë menjëherë kontrollin e automjetit në të cilin ata po udhëtonin.
Rezultatet e kontrollit kanë qenë tronditëse, brenda veturës janë gjetur dhe sekuestruar një armë automatike e tipit AK-47 me një karikator dhe nëntë fishekë, si dhe dy armë tytë shkurtër bashkë me 38 fishekë të tjerë.
Burimet policore bëjnë të ditur se të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim, ndërsa prokurori i rastit ka urdhëruar masën e ndalimit për të dy.
Rasti është në hetim, ndërsa armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike për të përcaktuar nëse janë përdorur edhe në ndonjë rast tjetër kriminal.








