
Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së kanë shprehur shqetësim se protestat e paralajmëruara sot nga qytetarët serbë në veri të Kosovës mund të ketë rrezik për përshkallëzim të dhunës.
Në një deklaratë të përbashkët, vendet e QUINT-it kanë bërë thirrje që protestat të jenë paqësore dhe të mos kalojnë në dhunë, raporton Gazeta Sinjali.
“Qytetarët kanë të drejtën e tubimit paqësor si dhe përgjegjësinë për të siguruar që tubime të tilla të jenë paqësore dhe të mos bëhen të dhunshme. Ndër vlerat tona të përbashkëta demokratike janë e drejta për tubime paqësore dhe për të dëgjuar zërin tonë, të drejta të cilat zbatuesit e ligjit janë përgjegjës për t’i mbrojtur. Forcat e rendit kanë detyrimin për të ruajtur rendin publik dhe duhet ta bëjnë këtë pa cenuar parimet demokratike të fjalës së lirë dhe tubimit”.
Ndryshe, për shkak të moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës më 3 prill, kryetari i komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq ka paralajmëruar protesta.
Sipas tij situata në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë më e vështirë, kur është fjala për qëndrimin serb, prandaj ai thotë se do të luftojnë në mënyrë demokratike.
Ndryshe, reagimet për zgjedhjet serbe erdhën pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se për t’u zhvilluar ky proces edhe në Kosovë, duhet të arrihet një marrëveshje paraprake mes dy shteteve.
Në anën tjetër, nga Bashkimi Evropian kanë deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar një propozim të vendeve të QUIN-it lidhur me këto zgjedhje.








