Shtuni: Sulmi i Banjskës shkon përtej terrorizmit, kishte për qëllim destabilizimin e Kosovës

Konflikti ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, që filloi me sulmin terrorist të grupit militant palestinez dhe po vazhdon me kundërpërgjigjen e përgjakshme ushtarake izraelite në Gazë, ka shkaktuar polarizim global. Ky konflikt, sipas ekspertëve, po lë gjurmë edhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor në aspektin e sigurisë dhe tek përdorimi në rritje i gjuhës së urrejtjes.
Studiuesi Adrian Shtuni, i cili merret me fenomenin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ka paralajmëruar se polarizimi social dhe politik që ekziston sot në shtetet e rajonit, i nxitur nga gjuha e urrejtjes lidhur me konfliktin në Lindje të Mesme mund të përshkallëzojë situatën e brishtë veçanërisht në Kosovë.
“Ne e pamë, sulmi i Banjskës, ishte një sulm që shkon përtej terrorizmit, ishte një sulm paramilitar me qëllim destabilizimin e Kosovës, jo vetëm në veri, por që ka edhe një dimension rajonal, sepse ky destabilizim nuk mund të përmbahet thjesht në Kosovë nëse arrin të jetë i suksesshëm. Kemi një problem të jashtëzakonshëm me polarizimin brenda Kosovës por edhe të Bosnjës. Unë në raport fokusohem më tepër në Kosovë. Kemi një polarizim social, një polarizim politik. E shikojmë në diskursin e përditshëm, kemi tendenca përplasjeje ndëretnike. Nuk ka qenë vetëm sulmi i Banjskës; ka pasur edhe incidente të tjera të shpeshta dhe kemi në një situatë të tillë, që është mjaft e tensionuar dhe mundet të kalojë shumë kollaj në përplasje fizike, kemi probleme të tensionit të shtuar që ndërlidhen me konfliktet tjera.”
Në këtë rast me konfliktin e Palestinës, ku kemi një konflikt me tre dimensione – konflikt për territor, konflikt me bazë etnike, por edhe me një lloj baze fetare. Të njëjtat gjëra i kemi parë edhe në Ballkan gjatë kohës së luftës në vitet ’90 si në Bosnje dhe në Kosovë, ku ka qenë një luftë për territor, por edhe luftë e fokusuar tek marrëdhëniet ndëretnike dhe ka pasur një komponent të qartë fetar. Mos të harrojmë që në luftën e Kosovës mbi 200 xhami janë dëmtuar ose shembur.
Në njëfarë mënyre edhe në krahun tjetër dhjetëra kisha ortodokse po ashtu janë dëmtuar ose janë sulmuar. Dhe kur shikojmë një ngjashmëri midis të dyja konflikteve, shikojmë sensitivitetin e publikut dhe këtë valë qoftë të dezinformimit, qoftë të gjuhës së urrejtjes, shumë kollaj mund të kalohet në radikalizëm të përshpejtuar, i cili pastaj çon akoma më tepër në polarizim dhe në aktivitete potencialisht shumë të rrezikshme për situatën e sigurisë brenda në Kosovë dhe në rajon. Këto janë të ndërlidhura, nuk mund të shikohen veçmas, sepse janë duke ndodhur në të njëjtën kohë. Nuk mund ta mbash situatën të izoluar nga faktorë të tjerë që ndikojnë për shkak të rezonancës në popull, për shkak të ndjeshmërisë që ka ndaj këtij konflikti, që është duke u zhvilluar në Gazë dhe që fatkeqësisht ka qenë shumë i përgjakshëm.” – tha ai për Zërin e Amerikës.








