
Pas 25 vitesh në detyrë, polici Zymer Kodra e ka lënë punën në Policinë e Kosovës, shkruan Mitropol.
Sipas tij, atij nuk ia lejuan foton e Adem Jasharit dhe flamurin me emblemën e UÇK-së që të mbahen në zyrë.
“Besoj se disa simbole nuk janë thjesht dekorime, por përfaqësojnë sakrificat mbi të cilat u ndërtua kjo liri që e gëzojmë sot.”, tha ai.
Kodra tha se përkushtimi i tij ndaj vlerave kombëtare mbetet i palëkundur.
Ai falenderoi kolegët dhe ata që e kanë përkrahur ndërsa tha se ende gëzon respekt për Policinë e Kosovës.
Zymer Kodra ishte pjesëtar i UÇK-së./Mitropol/
Postimi i plotë:
Të dashur familjarë, miq, kolegë dhe bashkëluftëtarë,
Pas 25 vitesh shërbimi me nder dhe përkushtim në Policinë e Kosovës, kam marrë një vendim të vështirë, por të menduar gjatë: të tërhiqem nga detyra.
Gjatë këtyre viteve, pata privilegjin të shërbej në një institucion që e konsiderova jo vetëm një profesion, por një mision për sigurinë dhe të mirën e qytetarëve tanë.
Megjithatë, koha sjell sfida dhe momente reflektimi.
Përkushtimi im ndaj vlerave kombëtare dhe historisë sonë mbetet i palëkundur, ashtu siç ishte kur iu bashkova radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Besoj se disa simbole nuk janë thjesht dekorime, por përfaqësojnë sakrificat mbi të cilat u ndërtua kjo liri që e gëzojmë sot.
Falënderoj nga zemra të gjithë kolegët me të cilët pata nderin të bashkëpunoj për më shumë se dy dekada. Secili prej tyre ka dhënë kontributin e vet për një Kosovë më të sigurt dhe më të drejtë. Respekti im për Policinë e Kosovës mbetet i njëjtë dhe do ta vlerësoj gjithmonë si një institucion kyç për vendin tonë.
E mbi të gjitha, falënderoj të gjithë ata që më kanë përkrahur, më kanë shkruar dhe më kanë shprehur mirënjohjen e tyre.
Kjo më jep forcë dhe motivim për të vazhduar kontributin tim në forma të tjera. Sepse shërbimi ndaj atdheut nuk mbaron me një kapitull – ai vazhdon gjithmonë!
Me respekt,
Zymer Kodra








