Medi
KOSOVËLAJME

Siria njeh Kosovën – Akt historik në Riad nën përkujdesjen e Princit saudit

Në një ngjarje historike për shtetin e Kosovës, Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka theksuar se ky akt u arrit me mbështetjen e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, shkruan Mitropol.

“Siria njeh Kosovën!”, ka shkruar Osmani në fillim të postimit të saj, duke nënvizuar rëndësinë e këtij momenti historik për diplomacinë dhe shtetësinë e Kosovës.

eKiosk

Sipas saj, marrëveshja për njohje është nënshkruar sot në Riad, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Princit saudit, ndërsa ajo ka falënderuar Presidentin Al Sharaa për vendimin dhe përkrahjen ndaj popullit të Kosovës.

“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe e sakrificës së brezave për të jetuar të lirë.”,  ka theksuar Osmani në reagimin e saj.

Në fotografinë e publikuar nga presidentja, shihet ajo përkrah Princit të Kurorës Muhammed bin Salman dhe Al Shara-s të Sirisë, në një takim që shënon kthesë të madhe për pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

Presidentja ka falënderuar veçanërisht Princin saudit për rolin e tij në ndërmjetësimin e këtij vendimi, duke e cilësuar atë si “akt historik mes dy shteteve miqësore”.

“Tani Kosova njihet nga 120 shtete. Republika jonë po ecën përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë!”, ka përfunduar Osmani, me tone optimiste për të ardhmen diplomatike të vendit.

Ky zhvillim pritet të ketë ndikim të madh në arenën ndërkombëtare, duke forcuar pozitën e Kosovës në botën arabe dhe në organizatat globale ku vendi synon anëtarësim./Mitropol/

Dukato 1