Sot 23 vite nga Beteja e Koshares ku u vranë 108 ushtarë serb nga ushtarët e Agim Ramadanit

Sot bëhen 23 vite nga fillimi i Betejës së Koshares, e cila u zhvillua më 9 prill të vitit 1999 në kuadër të Operacionit Shigjeta, ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) dhe Ushtrisë së Jugosllavisë (JNA-së), shkruan “Mitropol”.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës mori mbështetje nga Ushtria e Shqipërisë dhe nga Forcat ajrore të NATO-s. Është njëra ndër betejat më të përgjakshmet dhe më të suksesshmet e Luftës së Kosovës. Në këtë betejë Ushtria Jugosllave e humbi kontrollin e kufirit Kosovë – Shqipëri, e cila ishte një fitore e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke i detyruar ushtarët serbë të largohen nga kufiri dhe duke e mundësuar kalimin e sigurt të armëve dhe vullnetarëve nga Shqipëria për në Kosovë.
Beteja e Koshares zgjati nga 9 Prilli deri më 10 Qershor 1999, kur edhe u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës e cila i dha fund Luftës së Kosovës.
Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës. Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet shqiptare, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati 100 vjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.
Kjo betejë është një ndër betejat më të mëdha të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë së RF të Jugosllavisë. Palët në këtë betejë kanë qenë të pabarabarta, por UÇK-ja ka pasur përparësi strategjike, pasi beteja është zhvilluar në kufirin me Shqipërinë administrative. Furnizimi ka qenë në nivel, e gjithashtu edhe morali i luftëtarëve ka qenë i lartë. Ushtria Jugosllave ka qenë e ndihmuar edhe nga mercenarët rusë e serbë. Veteranët e kësaj beteje, luftën kundër forcave ushtarake e policore serbe në Koshare e konsiderojnë si një betejë historike të luftës së UÇK-së.
Ajo zgjati 67 ditë, e cila mori shumë jetë nga të dyja palët, të UÇK-së dhe Ushtrisë Jugosllave. Nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë dëshmorë 114 luftëtarë shqiptarë, ndërsa nga ana e Ushtrisë Jugosllave u vranë 108 ushtarë serbë, në mesin e të cilëve u vra edhe mercenari Rus Vitalih Bulakh Gleboviç, por përveç këtij besohet se ka edhe më tepër rusë të vrarë./Mitropol/







