Sot 23 vjet nga rënia heroike e Lules së Drenicës në moshën 21 vjeçare bashkë me të dashurin

Si sot 23 vjet më parë, më 14 dhjetor 1998, në vendin e quajtur “Likenet e Hasit”, në mëngjesin e acartë të dimrit të Pashtrikut, një grup luftëtarësh të UÇK-së, në krye me komandant Mujë Krasniqin-Kapuçin, kishte rënë në pritë të forcave serbe.
Gjatë luftimeve, ranë dëshmorë 35 luftëtarë të UÇK-së, përfshirë edhe komandantin, Mujë Krasniqin-Kapuçin.
Në mesin e dëshmorëve janë edhe dy të rinj, 21 vjeçarja Luljeta Shala dhe 29 vjeçari Hysen Bujupi-Luani. Lulja dhe Luani ishin të fejuar.
Siç shkruan në gurin e varrit, Lulja dhe Luani nuk e pritën dasmën e lirisë. Lulja e Krajkovës, e cila ishte bashkuar në UÇK që në prill 1998, skuqi borën e Pashtrikut pranë Luanit. Ata dhe 33 bashkëluftëtarët dëshmorë u varrosën me nderime ushtarake në Polac më 21 dhjetor.








