Dukato 2
LAJME

Sot fillon Samiti i NATO-s në Hagë, në fokus lufta e Ukrainës dhe shpenzimet e mbrojtjes

Sot fillon zyrtarisht Samiti i NATO-s në Hagë në të cilin do marrin pjesë liderë nga 32 shtetet anëtare, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski i cili arriti në Hagë mbrëmë, si dhe rreth 20 mijë pjesëmarrës. Samiti i Aleancës Veri-atlantike zhvillohet në Forumin Botëror.

Holanda ka angazhuar rreth 12 mijë policë për mbarëvajtjen e ngjarjes kryesore të sigurisë në botë. Policia holandeze ka organizuar operacionin e saj më të madh të sigurisë për samitin më të shtrenjtë të NATO-s deri më tani, me një kosto prej 183.4 milionë eurosh.

Aurora Group

Samiti i NATO-s është i pari në të cilin merr pjesë presidenti i SHBA Donald Trump që kur ai mori detyrën në janar për mandatin e tij të dytë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte gjithashtu do ta kryesojë takimin për herë të parë.

Një nga pikat kyçe të samitit është diskutimi për mbështetjen ndaj Ukrainës karshi Rusisë dhe plani i ri i investimeve në mbrojtje, që parasheh ngritjen e kufirit të shpenzimeve në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për shtetet anëtare. Edhe diskutimi për sulmet e SHBA-ve ndaj Iranit pas tensionimit të situatës mes Izraelit dhe Iranit do jetë i pashmangshëm.

Në frymën e të gjitha këtyre zhvillimeve, mbrëmë, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump deklaroi se lufta mes Izraelit dhe Iranit të cilë ai e quajti si “Lufta 12-ditore” mori fund, pasi palët u pajtuan për ndërprerje të sulmeve.

“PËRGËZIME PËR TË GJITHË! Është arritur një marrëveshje e plotë ndërmjet Izraelit dhe Iranit për një NDËRPRERJE TË PLOTË DHE TËRËSORE TË LUFTIMIT (afërsisht pas 6 orësh nga tani, kur Izraeli dhe Irani do t’i kenë përfunduar misionet e tyre përfundimtare që janë në zhvillim!), për një periudhë 12 orëshe, pas së cilës LUFTA do të konsiderohet E PËRFUNDUAR! Zyrtarisht, Irani do të nisë NDËRPRERJEN E LUFTIMIT dhe, pas Orës së 12-të, Izraeli do ta nisë gjithashtu NDËRPRERJEN, dhe në Orën e 24-të, një PËRFUNDIM ZYRTAR i LUFTËS 12 DITORE do të përshëndetet nga e gjithë bota. Gjatë çdo NDËRPRERJE, pala tjetër do të qëndrojë në PAQE dhe me RESPEKT. Duke supozuar se gjithçka do të shkojë siç duhet — dhe do të shkojë — dua të përgëzoj të dy shtetet, Izraelin dhe Iranin, për qëndrueshmërinë, guximin dhe mençurinë për t’i dhënë fund asaj që duhet të quhet “LUFTA 12 DITORE.” Kjo ishte një luftë që mund të kishte zgjatur me vite dhe të shkatërronte të gjithë Lindjen e Mesme — por nuk ndodhi, dhe kurrë nuk do të ndodhë! Zoti e bekoftë Izraelin, Zoti e bekoftë Iranin, Zoti e bekoftë Lindjen e Mesme, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ZOTI E BEKOFTË BOTËN!”, shkroi Trump në rrjetin social Truth.

Agjenda e sotme do nis nga ora 10:00 me fjalimin e Sekretarit të Përgjithshëm në Forumin Publik të NATO-s, në ora 13:30 mbahet seanca plenare e Forumit të Industrisë së Mbrojtjes në Samitin e NATO-s, në ora 14:30 do mbahet takimi mes Sekretarit të Përgjithshëm, Bashkimit Evropian dhe Ukrainës gjersa në ora 19:00 pritet mbërritja e krerëve të shteteve dhe qeverive dhe bashkëshortëve/bashkëshortëve të tyre në Pallatin Mbretëror Huis ten Bosch ku liderët do hanë një darkë të shtruar nga mbreti dhe mbretëresha e Holandës.

Nga ora 19:00, në sesionin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s me pritjen nga sekretari gjeneral, Mark Rutte do organizohet një darkë pune mes Këshillit NATO-Ukrainë. Gjersa në ora 19:15, ministrat e mbrojtjes poashtu do hanë një darkë pune së bashku. Këto ngjarje do jenë të mbyllura për mediet dhe detajet për to do mund të mësohen pas përfundimit.

Gazetari i Mitropol, Urall Boshnjaku do jetë i vetmi gazetar i akredituar nga mediet shqipe nga Kosova që do mbuloj drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht ngjarjen që konsiderohet si ngjarja kryesore e sigurisë në botë./Mitropol/

Weelnes