“S’rri gjithë n’burg…” – Ky është i akuzuari që e kërcënoi gjyqtarin gjatë seancës në Skenderaj

Jo rrallëherë ka pasur incidente në gjykatat e vendit, qoftë para ose pas seancave apo edhe gjatë zhvillimit të tyre. Palët që marrin pjesë në seanca shpesh përfshihen në konflikte verbale mes vete, por ka raste kur kërcënojnë prokurorët e gjyqtarët, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj.
Sinjali mëson se gjatë një seance gjyqësore, një person që po gjykohet për vepra të ndryshme penale, ndërkohë që vuan dënimin për një rast të mëhershëm, e ka kërcënuar kryetarin e trupit gjykues.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Hysni Fejzën, rreth 35-vjeçar.
Bazuar në informacionet e para, i dyshuari i revoltuar e ka kanosur gjyqtarin, ku ndër të tjera i ka thënë se “Dal unë prej burgut se nuk rri gjithë, e shohim…”, thonë tutje të njëjtat burime.
Policia dhe Prokurori i Shtetit janë vënë në dijeni për rastin, teksa i dyshuari është dërguar në Burgun e Dubravës.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Kanosje ndaj personit zyrtar”.