
Një incident është raportuar pasditen e së martës në komunën e Leposaviqit, ku një mosmarrëveshje për borxh ka përfunduar me sulm fizik, raporton ekskluzivisht Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 16:40, kur i dyshuari Milan Sekulić, rreth 25-vjeçar dyshohet se ka sulmuar fizikisht fqiun e tij B.P., rreth 41-vjeçar, pas një debati verbal lidhur me një borxh të mëhershëm ndërmjet tyre.
Sipas informacioneve, të dy ishin duke qëndruar në një kafene të fshatit, kur i dyshuari fillimisht e kishte fyer viktimën me fjalë ofenduese, e më pas e kishte goditur në kokë me shuplakë dhe grushte.
Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar me viktimën, i cili nuk ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa nuk janë vërejtur lëndime të dukshme. Gjatë ndërhyrjes, është dëmtuar retrovizori i veturës së viktimës, por për shkak se dëmi është shumë i vogël, ai nuk ka kërkuar kompensim.
Në cilësi dëshmitarësh janë intervistuar dy persona, prej të cilëve njëri ka konfirmuar se sulmi ka ndodhur një herë me shuplakë.
Nga testimi me alkoolmetër është konstatuar se i dyshuari kishte 0.63 promil alkool, ndërsa viktima ka rezultuar pa prezencë alkooli.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Sulm”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.








