Sulmet ndaj KFOR dhe Banjska, Zyrtari i NATO’s tregon çfarë i tha Vuçiqit në Beograd dhe si iu përgjigj ai

Boris Ruge, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Çështjet Politike dhe Politikën e Sigurisë, së fundmi zhvilloi një turne në Ballkanin Perëndimor, ku si pjesë të vizitës kishte edhe Kosovën, përpos Bosnjën e Serbinë.
Në një intervistë për N1 në BeH, Ruge theksoi praninë dhe angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s në rajon, duke thënë se “Ballkani është në radarin e NATO-s dhe ne nuk po shkojmë askund”.
Ruge tha se qëllimi i vizitës së tij ishte të takohej me krerët politikë në Prishtinë, Sarajevë e Beograd, për të vlerësuar situatën politike dhe për të riafirmuar praninë dhe partneritetin e NATO-s në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Serbi.
Ai theksoi rolin e NATO-s në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë, teksa tregoi edhe mesazhin që ia dha presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq.
“Dhuna në Kosovës në maj dhe shtator të vitit të kaluar, ishte pjesë e rëndësishme e bisedës që e pata me presidentin Vuçiq. Ne po kërkojmë përgjegjësi të plotë për sulmet ndaj ushtarëve tanë, për ngjarjet e shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë. Kjo ishte një pikë që shefi im, Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg e ka bërë, dhe këtë ia përsërita presidentit Vuçiq. Kjo është diçka që duam t’i shkojmë në fund”, ka thënë Ruge në këtë intervistë.
I pyetur se çfarë i ka thënë Vuçiqi për çështjen e sulmeve ndaj ushtarëve të NATO-s në Kosovë, Ruge tha: “Paj, (na tha) se ne mund të presim të shohim vazhdimësi sa i përket procesit gjyqësor në Serbi”.
Zyrtari i lartë i NATO-s tha se mendimet e tij me të Vuçiqit nuk janë krejtësisht divergjente për sa i përket Kosovës. “Nuk janë krejtësisht divergjente. Unë vij këtu, përfaqësoj NATO, shefin tim, Sekretarin e Përgjithshëm, i parashtroj qëndrimet tona, dhe kjo është diçka që do ta mbajmë në agjendë. Kosova është e rëndësishme. Ende e kemi një operacion ushtarak me rreth 5 mijë ushtarë në Kosovë. Roli ynë është të garantojmë ambient të sigurt, të punojmë me Policinë e Kosovës, me EULEX-in, dhe kjo është ende një detyrë e rëndësishme që synojmë të përmbushim”, deklaroi Ruge.








