Sulmi në Ferizaj: Vetëdorëzohet në polici i dyshuari, dje u arrestua personi i gabuar
I dyshuari që sulmoi me thikë katër persona në Ferizaj, është dorëzuar në Policinë e Kosovës mëngjesin e së martës.
Sipas “Kallxo”, 62 vjeçari Fadil Islami, është i dyshuari për “vrasje të rëndë në tentativë”.
Policia kishte arrestuar të hënën një person tjetër, pasi i është përshtatur profilit të të dyshuarit, por më pas u lirua.
Mediumi raporton se i dyshuari Islami, ka qenë i dënuar për vrasje dhe është liruar nga burgu në shkurt të këtij viti.
Ndërkohë, në raportin e Policisë për rastin, bëhet me dije se viktimat kanë marrë tretman mjekësor, ku dy prej tyre janë dërguar në QKUK.
“Ferizaj / 11.11.2024-15:36. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ne tri lokacione të ndryshme në Ferizaj kishte sulmuar (therur me mjet të mprehtë –thikë) dy femra kosovare dhe dy meshkuj njëri shtetas i Shqipërisë dhe tjetri shtetas kosovar. Si pasojë e lëndimeve viktimat kanë pranuar tretman mjekësor ku dy prej tyre janë dërguar në QKUK. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.” – thuhet në raport.