KOSOVËLAJME

Sveçla: Institucionet gati për reagim në rast të përmbytjeve të reja

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është shprehur i pikëlluar me humbjen e dy jetëve nga përmbytjet e mbrëmshme në qytetin e Pejës.

Ai ka thënë se të gjitha institucionet e vendit janë në nivel të lartë gatishmërie për reagim pas kësaj situate të rëndë.

Florenti Company
Koha
Market Florenti

“Të gjithë jemi jashtëzakonisht të shqetësuar me vërshimet e mëdha me të cilat është ballafaquar qyteti i Pejës mbrëmë dhe të pikëlluar që këto vërshime morën jetën e dy qytetarëve tanë. Që nga fillimi i përkeqësimit të situatës, të gjithë akterët e nivelit qendror kanë qenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë për reagim dhe vazhdojnë të jenë në koordinim të ngushtë me nivelin lokal ku po bëhet vlerësim sistematik i situatës”, ka thënë Sveçla.

Ai u shprehu ngushëllime familjeve Ademaj dhe Hoxhiq për humbjen e më të dashurve të tyre.

Ministri po ashtu falënderoi qytetarët për, siç tha, “bashkëpunimin dhe komunikimin e vazhdueshëm mbrëmë me Qendrat Operative Emergjente dhe njëkohësisht i ftoj që për çdo kërkesë apo informacion të vijojnë të kontaktojnë pa pagesë në numrin emergjent 112, Policinë e Kosovës 192 dhe Zjarrfikësit 193”.

Kujtojmë se mbrëmë, një nënë bashkë me fëmijën e saj 5-vjeçar, humbën jetën si pasojë e përmbytjeve në Pejë, të shkaktuara nga reshjet e mëdha të shiut.