Sveçla: Mungesa e reagimit ndaj kriminelëve, u jep krah bandave që urdhërohen nga Beogradi

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pasi Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë dha urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe, më 14 qershor.
Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.
Tre policëve iu shqiptua të premten masa e paraburgimit nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, por tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e saj.
Sveçla, përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se mosreagimi ndaj akteve kriminale prej huliganëve në veri të vendit, u jep krahë “bandave që udhëzimet e urdhrat i marrin nga Beogradi”.







