Medi
KOSOVËLAJME

Sveçla: Ngjarjet e 3 dhe 4 shkurtit 2000 dëshmi e spastrimit etnik të shqiptarëve në veri

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përkujtuar ngjarjet e rënda të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, duke i cilësuar ato si dëshmi të qarta të planeve shtetërore të Serbisë për spastrimin etnik të shqiptarëve nga veriu i Kosovës.

Aurora Group

Sipas Sveçlës, në kuadër të këtij plani kriminal, 26 vite më parë u ekzekutuan 10 qytetarë shqiptarë, përfshirë gra, burra dhe fëmijë, ndërsa 25 të tjerë u plagosën. Po ashtu, gjatë atij muaji rreth 12 mijë banorë shqiptarë u dëbuan me forcë nga pronat e tyre, vetëm për shkak të përkatësisë etnike.

Ai theksoi se datat 3 dhe 4 shkurt nuk përfaqësojnë vetëm tragjedi njerëzore, por edhe zbatimin e dhunshëm të një politike për ndryshimin e strukturës etnike në katër komunat veriore të vendit. Sipas tij, përmes vrasjeve, frikësimit dhe dëbimeve masive, këto zona u shndërruan me forcë nga zona me shumicë shqiptare në zona me shumicë serbe.

Ministri Sveçla nënvizoi se këto krime janë të dokumentuara dhe përbëjnë një thirrje të vazhdueshme për drejtësi, duke kërkuar që autorët e vrasjeve dhe krimeve të dalin para drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi për jetët e pafajshme të humbura.

“Vetëm përmes kujtesës dhe drejtësisë sigurohemi që krime të tilla të mos përsëriten më kurrë”, u shpreh ai.

Sveçla shtoi se institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të angazhuara në kthimin e të gjitha familjeve shqiptare të dëbuara në pronat e tyre dhe në garantimin e të drejtave të tyre.

Në fund, ai tha se periudha e dhunës, masakrave dhe dëbimeve ndaj shqiptarëve për aspirata territoriale ka përfunduar, duke theksuar se Kosova do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për viktimat, të mbrojë integritetin territorial dhe të kërkojë dorëzimin e kriminelëve të luftës, me qëllim që paqja, e vërteta dhe drejtësia të mbizotërojnë.

Weelnes