Sveçla për aksionin e sotëm në Veri: Një rast shtesë që dëshmon se po zgjatet lista e kriminelëve e terroristëve që po strehohen në Serbi
Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion në veri të Mitrovicës ku edhe ka sekuestruar armë dhe disa pajisje ushtarake, shktruan Mitropol.
Në lidhje me këtë, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se aksione të tilla parandalojnë sulme të mundshme ndaj zyrtarëve, qytetarëve apo institucioneve.
Sveçla tutje është shprehur se ky rast dëshmon se po zgjatet lista e kriminelëve e terroristëve që po strehohen në Serbi.
Postimi i plotë:
Mirëpres aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në veriun tonë, që rezultoi me sekuestrimin e armatimit të shumtë e të ndryshëm, të pajisjeve për trazira e të pajisjeve për prodhimin e jashtëligjshëm të kriptovalutave, duke u parandaluar kështu sulme të mundshme ndaj zyrtarëve tanë, qytetarëve apo institucioneve tona.
Ky është edhe një rast shtesë që dëshmon se po zgjatet lista e kriminelëve e terroristëve që po strehohen në Serbi.
Beteja në luftimin e terrorizmit teksa po vijon me sukses do të jetë e pandalshme dhe nuk ka kthim prapa. Vendi ynë nuk do të jetë asnjëherë strehë e kriminelëve e terroristëve që cënojnë sigurinë e qytetarëve, zyrtarëve apo institucioneve tona.