Një vit pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, institucionet e vendit përkujtuan 24 shtatorin e vitit 2023.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një intervistë për Tëvë1, ka shpalosur detaje të padëgjuara deri më tani për terroristët serbë që sulmuan Policinë e Kosovës.
Sipas të parit në dikasterin e Punëve të Brendshme, ky grup u kamuflua edhe me rroba të pjesëtarë të KFOR-it për të eliminuar policinë e Kosovës.
“Njëri nga qëllimet e këtij grupi ka qenë të kamuflohen me ç’rast do të eliminonin policinë tonë nëpër pika të caktuara ku kanë pas në plan që të vendosen. Do të thotë jo vetëm që kanë bllokuar, pra fshatin e Banjskës por faza tjetër e operacionit të tyre, ka qenë që ata të zënë pozicione të ndryshme përfshirë pozicionet që policia i ka pas në zotërim, në situatat e zakonshme, pikat e kontrollit, stacionet tona policore. Kjo tregon se ata kanë qenë të përgatitur detajisht”, tha Sveçla.
Sipas ministrit Sveçla, ky grup me në krye Millan Radojiçiq, u armatosën nga kazerma ushtarake e Serbisë, detaje këto të gjetura në dronët që sekuestroi policia në vendin e ngjarjes.
“Kur unë përmenda dëshmitë që kemi zënë tashmë është publike, ne kemi edhe dokumentacionin e pranim dorëzimit të armëve nga magazinat e Ushtrisë së Serbisë, absolutisht kjo është pjesë e aktakuzës do të thotë, nga një magazinë zyrtare e ushtrisë së Serbisë ipen raketa hedhësit grupit terrorist të Radojiciqit, nga një magazinë tjetër ipen metralozët 30 milimetërsh apo minahedhësa”, tha ai.
E në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale, ministri thotë se mungojnë njerëzit kyç që ndihmuan grupin terrorist të Banjskës, e që është edhe komandanti i Ushtrisë serbe.