
Nënkryetari i Mitrovicës dhe kandidat për kryetar komune nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka vazhduar takimet me qytetarët në përgatitje për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Mbrëmë, ai së bashku me partnerët e koalicionit, Gjergjin dhe Asllanin, zhvilluan një takim me banorët e lagjes Kçiq, ku dëgjuan me kujdes çdo shqetësim, ide dhe propozim të tyre.
Në një postim të bërë në rrjetet sociale, Tahiri theksoi rëndësinë e dialogut të hapur me qytetarët:
“Takimet me qytetarë janë mundësia më e mirë për ta dëgjuar çdo zë të qytetit tonë. Së bashku me partnerët e koalicionit, Gjergjin dhe Asllanin, mbrëmë me shumë vëmendje e dëgjuam çdo ide dhe propozim të banorëve të Kçiqit. Jam i bindur se vetëm duke bashkëpunuar mund ta arrijmë çdo qëllim që kemi për qytetin tonë.”
Ai gjithashtu theksoi se po nis një rrugë të re dhe se çdo qytetar ka një rol të rëndësishëm në të: “Po nisim një rrugë të re dhe secili qytetar është pjesë e saj.”
Takimet e tilla, sipas Tahirit, janë një mundësi për të kuptuar më mirë nevojat e komunitetit dhe për të zhvilluar politika konkrete që përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve. Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës është i përkushtuar të dëgjojë çdo zë dhe të bashkëpunojë me qytetarët për një qytet më të zhvilluar dhe më të bashkuar.








