Të rinjtë e Kryqit të Kuq në Mitrovicë me aksion humanitar në shesh

Në zemër të Mitrovicës, të rinjtë vullnetarë të Kryqit të Kuq të Kosovës, dega Mitrovicë, sot zhvilluan një aktivitet simbolik me qëllim humanitar. Nën rrezet e diellit të vjeshtës, ata vendosën një tavolinë me ëmbëlsira e pije, duke ftuar qytetarët që me një kontribut të vogël të ndihmojnë ata që kanë më së shumti nevojë.
Kalimtarët ndalnin me buzëqeshje, ndonjëri për të dhuruar, e tjetri për të marrë një copë ëmbëlsirë — por të gjithë me ndjenjën e përbashkët të solidaritetit. Në pankartat e vendosura pranë qëndrës së tyre, vullnetarët kujtonin parimet e Kryqit të Kuq: humanizëm, paanësi, neutralitet, unitet dhe pavarësi, vlera që për ta nuk janë vetëm fjalë, por mënyrë jetese.
Ky aksion, ndonëse i thjeshtë në pamje, përcjell një mesazh të madh, se edhe një gjest i vogël, në duart e të rinjve me zemër të madhe, mund të bëjë ndryshim në komunitet./Mitropol/








