TEB
KOSOVËLAJME

Të zhdukurit e luftës: 25 vjet pa drejtësi dhe përgjigje për familjet

Të pagjeturit në Kosovë mbeten një nga plagët më të thella dhe më të dhimbshme të trashëguara nga lufta e viteve 1998–1999. Pas përfundimit të konfliktit, mbi 6,000 persona u raportuan si të zhdukur, dhe pavarësisht përpjekjeve vendore e ndërkombëtare për t’i gjetur, mbi 1,600 ende mungojnë.

Florenti Company

Sipas të dhënave zyrtare nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK), 1,612 persona konsiderohen ende të zhdukur me forcë që nga lufta në Kosovë.

TEB

Familjet e tyre kanë pritur për më shumë se dy dekada për të mësuar fatin e të dashurve të tyre, ndërkohë që institucionet vazhdojnë përpjekjet për zbardhjen e rasteve përmes gërmimeve, analizave të ADN-së dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Erblin Ademi ishte vetëm fëmijë kur babai i tij u zhduk gjatë luftës. Sot, 25 vjet më pas, kujtimi i babait është pjesë përbërëse e jetës dhe profesionit të tij si kirurg.

“Jeta jonë ka ndryshuar thellësisht, jo vetëm pas zhdukjes së babait, por qysh atëherë kur situata në vend filloi të përkeqësohej. Ai ishte i përkushtuar ndaj familjes, dhe edhe pse fizikisht mungon, prania e tij ka qenë gjithmonë me mua, në mënyrën si mendoj, si veproj, si përpiqem të jem njeri me vlera.”, rrëfen Ademi.

Erblini sot punon si kirurg, profesionin të cilin e ushtronte edhe babai i tij.

“Më tërhiqte gjithmonë mënyra si ai sillej me pacientët, qetësia, përkushtimi dhe dashuria. Ka ndihmuar shumë njerëz pa interes. Kjo për mua ka qenë shembulli më i mirë i një profesionisti të vërtetë.”

Institucionet e Kosovës po vlerësohet se kanë krijuar mekanizma dhe ligje për të trajtuar çështjen e personave të zhdukur, por rezultatet mbeten të pamjaftueshme edhe pas një çerek shekulli. Sipas Marigona Shabiut, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), qasja institucionale ka qenë shpesh më shumë simbolike sesa substanciale.

“Qasja shpesh ka qenë më shumë simbolike sesa substanciale, me mungesë të qasjes proaktive dhe presionit të vazhdueshëm ndaj palës serbe. Për më tepër, mungesa e transparencës dhe përfshirja e kufizuar e familjarëve në proces ka ulur besimin publik në këtë drejtim. Nevojitet një qasje më e koordinuar, më e ndjeshme dhe më insistuese për të çuar përpara këtë çështje humanitare”, tha Shabiu.

Në anën tjetër, Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, thotë se institucionet janë të përkushtuara dhe të përfshira në proces.

“Përkrahja për familjet është e rregulluar me Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre, si dhe me Ligjin për Personat e Zhdukur, të cilat e përcaktojnë qartë rolin e institucioneve në mbështetjen dhe informimin e rregullt të familjeve për të drejtat dhe zhvillimet e reja.”, theksoi ai.

Tutje, Hoti tha se qeveria e Kosovës ka ndarë 50,000 euro për mbështetjen e shoqatave të familjarëve, me synim forcimin e kapaciteteve të tyre dhe përfshirjen më aktive në aktivitetet përkujtimore.

Ndërsa kërkimi për të zhdukurit vazhdon, mungesa e drejtësisë për këto raste përbën një pengesë të madhe për paqen dhe pajtimin në Kosovë. Familjarët jetojnë me dhimbje dhe me shpresën që një ditë do të marrin përgjigje.

“Kur institucionet nuk arrijnë të sigurojnë drejtësi, dërgohet mesazhi te familjarët se krimet mund të harrohen ose të mbesin të pandëshkuara. Kjo ndikon negativisht në ndërtimin e një shoqërie që synon pajtimin, sepse pajtimi i vërtetë kërkon përballje me të kaluarën dhe pranimin e së vërtetës. Pa këtë, nuk mund të ndërtohet një e ardhme paqësore ndërmjet komuniteteve.”, tha Shabiu.

Sipas saj, pa përballje me të kaluarën dhe pa pranimin e së vërtetës, pajtimi mes komuniteteve është i pamundur.

Për familjet, zhdukja e më të dashurve nuk është temë për manipulim politik.

“Si familje, gjithmonë kemi qenë apolitikë dhe nuk jemi lidhur me asnjë subjekt politik. Por pavarësisht kësaj, ndjejmë nevojën ta themi të vërtetën: gjatë gjithë këtyre viteve, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet apo në institucione, për çështjen e personave të zhdukur është bërë shumë pak. Ajo që është bërë, shpesh ka qenë rezultat i përpjekjeve individuale, nga vetë ne si familjarë, dhe jo si pjesë e një angazhimi institucional serioz.”, tha Ademi.

Një nga pengesat kryesore për zbardhjen e fatit të të zhdukurve është mungesa e qasjes në arkivat shtetërore të Serbisë. Shabiu vlerëson se dokumentet që ndodhen atje mund të përmbajnë informacione kyçe për vendndodhjen e varrezave masive dhe për operacionet që çuan në zhdukje të organizuara.

“Transparenca nga Serbia është thelbësore për drejtësi dhe për ndërtimin e besimit mes popujve.”, tha ajo.

Andin Hoti thekson se përballja me një shtet që ai e quan “gjenocidal” kërkon presion të vazhdueshëm ndërkombëtar.

“Fatkeqësisht përballë kemi një shtet gjenocidal që nevojitet ende presion nga faktori ndërkombëtar për të detyruar të njëjtit të japin përgjigje për fatin e më të dashurve tanë.”, u shpreh Hoti.

Ai thotë që ky presion duhet të lidhet me proceset integruese dhe bashkëpunimin juridik mes dy vendeve.

Autore: Besarta Jashari

Ky shkrim është produkt i Akademisë për raportimin në fushën e Ballafaqimit me të Kaluarën (BmK) dhe Gazetarinë e Sensibilizuar për Konflikte, implementuar nga Pro Peace – Programi në Kosovë dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e gazetarit/gazetares dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Pro Peace dhe AGK-së.

Koha