“Telefon, video kamerë, pasaporta e dylbi” – çfarë sekuestroi policia e Kosovës nga i arrestuari që kërcënoi me hedhje bombe në xhaminë e Mitrovicës gjatë namazit të xhumasë
Një person me emrin Patrik Kurti përmes një video paraqitjeje në rrjetin social Tiktok kërcënonte publikisht besimtarët mitrovicas me bombardim, shkruan “Mitropol”.
Ai në video thoshte se do hedhte tri bomba gjatë namazit të xhumasë në xhaminë e madhe në Mitrovicë.
Madje ai thoshte se nuk ia vlen të futet në burg për një musliman, por se do i mbyste mijëra të tillë.
E pas kësaj, në ndjekje të të njëjtit është vënë dje Policia e Kosovës.
Siç ka njoftuar policia, Kurti u arrestua në rrugën magjistrale Mitrovicë-Podujevë në ora 03:00 të mëngjesit.
Nga i dyshuari policia tha se është sekuestruar një telefon, një video kamerë, dy pasaporta të Kosovës si dhe një palë dylbi. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Rr. Mitrovicë-Podujevë, 28.09.2023 – 03:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që ka kryer veprën e lartcekur përmes publikimit të një videoje në rrjete sociale. Nga i dyshuari është sekuestruar një telefon, një video kamerë, dy pasaporta të Kosovës si dhe një palë dylbi. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.