Tentim vjedhje në bankën TEB, persona të armatosur shpërthejnë bankomatin me mjet eksploziv

Disa persona të armatosur dyshohet se kanë tentuar të thyejnë një bankomat të bankës TEB në Gjilan, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.
Sipas njoftimit, persona të maskuar dhe të armatosur me mjet eksploziv kanë shpërthyer bankomatin.
“Me datën 20.11.2023 rreth orës 05:22 jemi njoftuar se në rrugën ‘’Isuf Kika’’ në qytetin e Gjilanit, persona të panjohur për momentin, të maskuar dhe të armatosur, me mjet eksploziv kanë shpërthyer një bankomat të një banke komerciale”, ka thënë Osmani.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore relevante, njësiti i hetimeve rajonale, krime teknika dhe njësiti për menaxhim të eksplozivëve nga Policia e Kosovës.
Tutje Osmani ka thënë se rasti është duke u hetuar, ndërkohë që Prokuroria ka cilësuar rastin si “Vjedhje e rëndë në tentative” dhe “Shkaktim i rrezikut të Përgjithshëm.”/GazetaSinjali








