Tentim vrasje në Podujevë: I riu goditet me mjet të fortë në kokë, dërgohet me lëndime të rënda në QKUK

Të shtunën pasdite, në fshatin Surkish të Podujevës, një 33-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e goditjeve që ka pësuar nga një mjet i fortë. Sipas policisë, akoma nuk dihen rrethanat e incidentit.
Rasti tashmë po hetohet si “Vrasje në tentativë” dhe një person i dyshuar është shpallur në kërkim nga Policia.
Siç ka mësuar Sinjali, viktima është goditur me një mjet të fortë nga një 25-vjeçar, pas një mosmarrëveshje që dyshohet se e kanë pasur mes vete.
I riu që po dyshohet lidhur me këtë rast është Gezim Xhema, 25-vjeçar – i cili ka ikur nga vendi i ngjarjes.
Për pasojë, i riu ka pësuar lëndime të rënda në kokë, për çka është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të trajtim mjekësor.
Ndërkohë, në vendin e ngjarjes, njësitet policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme – ku kanë gjetur edhe automjetin e viktimës me njolla gjaku.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, personi që dyshohet se ka kryer veprën është identifikuar dhe i njëjti po kërkohet nga ana e Policisë.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve dhe zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.








