Thasët me rërë që u gjetën në objektin i cili është i komunës së Zveçanit, dyshohet që u përdorën për barrikada dhe llogore

Policia e Kosovës po vazhdon aktivitetin e vet për shtrirjen e sundimit të ligjit dhe kushtetuetshmërisë në veriun e vendit.
Në vazhdën e kësaj, sot Policia e Kosovës kreu një bastisje në objektin afarist që është pronë e Komunës së Zveçanit, e cila u shfrytëzua nga sturkturat paralele serbe dhe Mbrojtja Civile, raportoi sot ekskluzivisht “Mitropol”.
Policët e rajonit të Policisë së Mitrovicës Veriore kanë bastisur ambientet e një objekti shumëkatësh në hyrje të Zveçanit para mesditës së sotme, pasi kanë marrë informacion se në të ka thasë me rërë që përdoreshin për barrikada.
Burime të “Mitropol” bënë të ditur se në objektin e komunës ku janë të vendosura strukturat e financuara nga Serbia, Policia e Kosovës gjatë bastisjes ka gjetur thasë të shumta të mbushura me rërë të cilat dyshohet se janë përdorur si barrikada për bllokim të rrugëve.
Veç tyre, Policia kishte hasur edhe në rërë të papërgatitur e cila dyshohet se do përdorej për qëllime të njejta.
Këtë e konfirmoi edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës pë rajonin e Veriut, Veton Elshani.
“Kemi marrë informacione se në një objekt, i cili është i komunës së Zveçanit, i cili është shfrytëzuar nga Mbrojtja Civile dhe strukturat paralele, ka pasur thasë me rërë që përdoren për barrikada të cilat ishin përdorur në Rudar, në urën në hyrje të Zveçan”, tha ai.
Hymë brenda dhe gjetëm thasë me rërë”, tha tutje Elshani.
Pas bastisjes në objektin e Komunës Paralele, Policia e vazhdoi aksionin në një objekt tjetër aty pranë ku u gjet organizim ilegal i skemave piramidale, bixhozit dhe lojëve me bast.
Elshani ka konfirmuar edhe se kanë hyrë në një bastore aty pranë, duke shpjeguar se është një aktivitet i paligjshëm në Kosovë, por se ky ishte një rast tjetër, pra rast i veçantë që s’lidhet me bastisjen e parë.
Në këto momente pritet të arrijë njësiti i krimit të organizuar nga Prishtina, i cili, siç saktëson Elshani, ka juridiksion të mëtutjeshëm për hetimin e këtij rasti.
Kujtojmë se më 22 mars 2019 qeveria e Ramush Haradinajt mori vendim për ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë me ç’rast u urdhërua mbyllja e të gjitha bizneseve me veprimtari të tillë.
Ata janë futur edhe në bastoren ngjitur
Në vendngjarje ndodhen edhe pjesëtarët e EULEX-it./Mitropol/








