Thellohet skandali: Granti 100 mijë eurosh i këshilltarit të Pecit del të jetë me shkelje flagrante të Udhëzimit Administrativ
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, pas skandaleve të publikuara me grantet ka deklaruar vazhdimisht se “nuk e di kush merr grante” në Ministrinë e tij. Përveç granteve qindra mijëra eurosh të vëllait e dajës së deputetes Fitore Pacollit, Periskopi kishte gjetur se edhe këshilltari i Pecit, Naim Huruglica kishte marrë grant për projektin 100 mijë eurosh.
Tek rasti i fundit me këshilltarin e Pecit – del që është bërë shkelje e Udhëzimit Administrativ në një rast ku Huruglica ka përfituar afro 19 mijë euro nga ajo.
Pas një hulumtimi të bërë nga Periskopi, ku në dokumentet e siguruara të projektit të Huruglicës dhe projektit të një biznesi tjetër që pronare ka Nora Ismailin nga Skenderaj, kjo e fundit nuk e kishte fatin e njëjtë si të këshilltarit të Pecit.
Në listën e investimeve të projekteve, të dy bizneset e lartpërmendura kanë kërkuar “Arka për vjelje”. Këshilltarit të Pecit, Naim Huruglicës iu pranua, ndërsa Nora Ismailit nuk iu pranua.
Në dokumentin më poshtë mund të shihni projektin e znj. Ismaili ku në listën e investimeve figuron “Arka për vjelje…”, por AZHB nuk e pranoi, pasi sipas Udhëzimit Administrativ, ky investim vlen vetëm për sipërfaqet 3 e më shumë hektarë.
Ndërsa në dokumentin tjetër, atë të projektit të Naim Huruglicës, pavarësisht që as ky nuk i ka pasur 3 apo më shumë hektarë, të njëjtit i pranohet ky investim i cili kushton afro 19 mijë euro.
PZHR 2023
U/A (MBPZHR)-Nr.14/2023 për masat dhe kriteret e përkrahjes për Zhvillim Rural për vitin 2023
NËNMASAT
III.I. SEKTORI I PEMËVE
Neni 8
Kriteret e pranueshmërisë
2. Investimet e pranueshme në sektorin e pemëve:
1.1. Vetëm per siperfaqet 3 e me shume hektarë, u lejohen investime ne ndërtimin e objekteve për veprimet pas vjeljes, si depo ftohëse, makineri për klasifikim, pastrim, paketim, u lejohet edhe aplikimi për ndërtimin e objekteve për vendosjen e makinave, si dhe depove për produkte për mbrojtje të bimëve dhe për plehra artificiale.
Rast i parë 1
Iron Consulting LLC, Prishtinë, Kamenicë me pronar Naim Huruglica dhe Dardan Velia, i pranohet investimi;
Investimi
6. Arka te plastikes per vjelje dhe ruajtje te frutave (350kg) 168 cope me vlere prej 18,508€
Rasti i 2
Agro Ndriqimi SHPK- Nora Afrim Ismaili, Kopiliq i Epërm Skenderaj
Investimi
15. Arka për vjelje deri në 20 kg -90 cop nuk pranohet si investim
Vlen të theksohet se që të dy projektet kanë qenë të njëjta, vetëm se njëri me më shumë hektarë e tjetri më pak.
Për projektin e Huruglicës 65 % e investimit prej afro 100 mijë eurosh është pranuar nga AZHB, teksa 65% e investimit prej afro 45 mijë eurosh është pranuar për projektin e znj. Ismaili (pasi këtë nuk e financoi AZHB për investimin e arkave për vjelje).
Krejt në fund, duhet cekur se ministri Peci vazhdon që ta ketë të fshehur listën e përfituesve të granteve, pasi që nga viti 2019 ato nuk publikohen ne faqen e Ministrisë. Krejt kjo, jashteligjshëm.