Therje me thikë në Mitrovicë të Veriut – policia gjen kallashnikov, granata dhe narkotikë në banesën e të dyshuarit

Një rast i rëndë është regjistruar në Mitrovicën e Veriut, ku një person është therur me thikë pas një konflikti, ndërsa gjatë bastisjes policia ka gjetur armë automatike, granata dore dhe substanca narkotike.
Ngjarja ka ndodhur më 6 mars 2026, rreth orës 21:15, në rrugën “Andri Dinana”, afër hotelit “Ador”. Rasti është raportuar nga Spitali Rajonal në Mitrovicën e Veriut, ku për trajtim mjekësor ishte dërguar një person i therur.
Sipas informacioneve nga strukturat e afërta me hetimin, viktima P.I ka deklaruar se pas një mosmarrëveshjeje verbale lidhur me një çështje qiraje, tre persona kanë dalë nga një veturë Fiat Punto me ngjyrë të zezë dhe e kanë sulmuar fizikisht.
Gjatë sulmit, njëri nga të dyshuarit dyshohet se e ka goditur katër herë me thikë në këmbën e majtë dhe një herë në stomak, duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë, ndërsa po trajtohet në repartin e kirurgjisë.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me hetuesin kujdestar, forenzikën dhe njësinë e hetimeve rajonale. Pas mbledhjes së informatave, hetuesit kanë shkuar në banesën e nënës së njërit prej të dyshuarve, ku kanë hasur Balsha Ivanoviqin, i cili dyshohet se ishte duke tentuar të largohej me një çantë me rroba.
Gjatë kontrollit në banesë, policia ka gjetur dhe konfiskuar:
• thikën e dyshuar të përdorur në sulm, si dhe edhe dy thika të tjera
• një armë automatike AK-47
• një granatë dore M-75 dhe dy shok-bomba
• 34 fishekë të kalibrit 7.62 mm, një karikator me 29 fishekë, si dhe një kuti me 15 fishekë të të njëjtit kalibër
• bimë narkotike, një peshore, një mulli për bluarje, qese najloni dhe folie
• një cigare e dyshuar me marihuanë
• një antiplumb, veshje dhe dy bluza me mbishkrime në cirilik
• 196.160 dinarë serbë
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia për deminim (EOD), e cila ka tërhequr mjetet shpërthyese.
I dyshuari Balsha Ivanoviq është arrestuar dhe gjatë intervistimit në prani të avokatit ka përdorur të drejtën për të mos u deklaruar. Dy persona të tjerë të dyshuar në rast fillimisht nuk janë hasur dhe kanë qenë në arrati.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale:
• “Vrasje në tentativë”
• “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”
• “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve”.
I dyshuari është dërguar në mbajtje në Mitrovicën e Jugut, ndërsa vetura e përdorur në rast është konfiskuar.
Sipas zhvillimeve të fundit, më 7 mars 2026 janë arrestuar edhe Pavle Prica dhe Nikola Mitiç, të cilët janë intervistuar në prani të avokatëve për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.
Pas intervistimit dhe me udhëzim të prokurorit të shtetit, të dy janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.







