Aurora Group
02LAJME

Trepça ekzekuton vendimin gjyqësor për mbrojtjen e pronës – vizitë në terren për siguri e transparencë

Ndërmarrja Trepça Sh.A. ka realizuar sot në terren ekzekutimin e vendimit gjyqësor me numër K.Dh.Sh.II.nr.1426/25, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në mbrojtjen ligjore dhe faktike të pronës publike, njofton Mitropol.

Ky veprim vjen vetëm pak ditë pas përfundimit me sukses të procedurës gjyqësore nga Zyra Ligjore e Trepçës, e cila kishte siguruar caktimin e masës së sigurisë në të njëjtin rast.

Active

Sipas njoftimit zyrtar, ekipi i Trepçës ka dalë në terren me qëllim të verifikimit të gjendjes faktike të pronës së ndërmarrjes dhe për të siguruar zbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës. Vizita ishte pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të menaxhmentit për ruajtjen e pasurisë së Trepçës dhe mbrojtjen e interesit publik.

Pamjet nga vendi tregojnë praninë e ekipeve teknike dhe mjeteve të rënda, të cilat po punonin në koordinim me autoritetet përkatëse, duke dëshmuar një proces të qetë, transparent dhe të kontrolluar. Ky aksion është parë edhe si një dëshmi konkrete e seriozitetit me të cilin ndërmarrja trajton çështjet pronësore që prekin trashëgiminë industriale dhe ekonomike të Trepçës.

Në njoftim kujtohet se gjatë muajit shtator 2025, Zyra Ligjore e Trepçës ka shënuar dy fitore të rëndësishme gjyqësore në mbrojtje të pronës së ndërmarrjes. Këto suksese janë vlerësuar si rezultat i profesionalizmit, përkushtimit dhe efikasitetit të stafit ligjor në çdo hap të proceseve gjyqësore.

“Trepça Sh.A. mbetet e vendosur që në çdo kohë të jetë në mbrojtje të pronës dhe interesit publik, të forcojë sigurinë juridike dhe të garantojë funksionimin e qëndrueshëm të ndërmarrjes në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit,” thuhet në fund të komunikatës.

Ky zhvillim shihet si një mesazh i qartë se Trepça po ecën drejt konsolidimit të pronës publike dhe rikthimit të kontrollit të plotë institucional mbi asetet e saj, duke përforcuar rolin e saj strategjik në ekonominë e Kosovës./Mitropol/

Koha