
Ndërmarrja Trepça Sh.A. ka realizuar me sukses ekzekutimin e vendimit K.Dh.Sh.II.nr.1258/25, që ka të bëjë me lirimin e një prone publike pas mosrespektimit të kushteve kontraktuale nga pala qiramarëse.
Ky veprim pason një proces të zgjatur ligjor, i cili lidhet me kontratën e qirasë nr. 2204 të datës 18.04.2024, e cila nuk ishte zbatuar në përputhje me Nenin 7, paragrafi 7.3 të marrëveshjes.
Në vitin 2024, Trepça kishte ndërprerë kontratën për aktivitetin afarist në fjalë, mirëpo pala qiramarëse kishte vazhduar ta mbante hapësirën në kundërshtim me marrëveshjen.
Në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ndërmarrja ka ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore dhe operacionale në terren, duke siguruar mbylljen e aktivitetit afarist dhe lirimin e pronës publike, në përputhje me vendimin përkatës.
Ky hap, sipas Trepçës, përbën një shembull të qartë të angazhimit të menaxhmentit për mbrojtjen e pronës publike, respektimin e ligjit dhe ruajtjen e integritetit të pasurive të ndërmarrjes.








