Tri netë festival, plot të arrestuar për drogë: Policia kapi të rinjtë me ekstazi, marihuanë e MDMA në ‘Sunny Hill’
Posedimi dhe shitblerja e shpërndarjes së drogës është dukuri e shpeshtë në festivale. Njësitet policore të angazhuara për zhvillimin e planit për mbarëvajtjen e “Sunny Hill” në Prishtinë për aq ditë sa zgjati festivali ka kapur një numër të madh të të rinjve me drogë.
Në dy netët e para, Policia e Kosovës ka ndalur mbi 10 persona me substanca narkotike dhe njëjtë ka ndodhur edhe mbrëmë.
Në natën e fundit të festivalit, janë kapur së paku gjashtë persona me droga të llojit si ekstazi, MDMA dhe marihuanë.
Burime të Sinjalit kanë bërë me dije se njëri nga personat e arrestuar ka qenë i moshës së mitur.
Rastet kanë qenë të ndara dhe të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë deklaruar për veprën me të cilën ngarkohen.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rastet për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.’