
Një qytetar nga lagjja “Agim Ramadani – Katana” në Mitrovicë ka ngritur shqetësimin përmes një raportimi në “Mitropol” mbi gjendjen e rënduar të bllokimit të trotuareve nga veturat e parkuara në mënyrë të parregullt.
Sipas tij, problemi është i përhapur në tërë rrugën dhe po vazhdon prej kohësh pa ndërhyrje të qëndrueshme nga organet përgjegjëse.
Ai thekson se trotuaret janë të pamundura për t’u përdorur nga këmbësorët, pasi janë të zëna pothuajse në tërësi nga automjetet. Në disa raste, veturat janë parkuar deri në hyrjet e lokaleve dhe afër hyrjeve të banesave, duke e bërë të pamundur qarkullimin e lirë, e sidomos duke rrezikuar edhe nënat me karroca dhe me fëmijë.
“Ka muaj që kjo situatë përsëritet çdo ditë. Krejt trotuaret janë të zëna. Edhe kur banorët lajmërojnë policinë, përgjigja që marrin është se ‘tash e dërgojmë një patrullë’, por asgjë nuk ndryshon,” ka thënë qytetari përmes mesazhit dërguar faqes tonë.
Në disa fotografi të dërguara nga vendi i ngjarjes, shihen qartë vetura të parkuara në mënyrë të tillë që bllokojnë tërësisht trotuaret, duke vënë në rrezik sigurinë e qytetarëve dhe duke penguar lëvizjen normale të këmbësorëve.
Sipas qytetarit, edhe kur policia ndonjëherë reagon, ndërhyrjet mbeten të kufizuara.
“Herë reagon policia, herë jo. Edhe kur vijnë, shpërndajnë disa vërejtje nëpër vetura, por gjendja mbetet e njëjtë tash e sa kohë.”
Banorët e lagjes kërkojnë nga institucionet përkatëse që të ndërmarrin masa konkrete dhe të vazhdueshme për të parandaluar parkimin e paligjshëm në hapësirat për këmbësorë. Ata theksojnë se zgjidhjet afatshkurtra nuk kanë dhënë rezultate, dhe kërkojnë ndëshkime të rregullta për shkelësit dhe më shumë patrullime në zonë./Mitropol/








