Trumpi thotë se fotot e Epsteinit “nuk janë ndonjë gjë e madhe”

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se nuk i ka parë fotografitë nga pasuria e Jeffrey Epstein, të publikuara të premten nga demokratët në Komitetin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve.
“Nuk i kam parë, por dua të them, të gjithë e njihnin këtë burrë”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.
Trump shtoi se Epstein ishte “kudo në Palm Beach” dhe se kishte “foto me të gjithë”.
“Kjo nuk është ndonjë gjë e madhe”, tha ai. “Nuk di asgjë për këtë”.
Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve publikuan të premten një përzgjedhje fotografish nga pasuria e Jeffrey Epstein, ku përfshihen edhe disa foto të presidentit Donald Trump, ish-presidentit Bill Clinton dhe ish-Princit Andrew.
Shtëpia e Bardhë ka akuzuar demokratët për “zgjedhje fotosh” me qëllim krijimin e një narrative të rreme rreth Trumpit.
Nga ana tjetër, republikanët kanë deklaruar se asgjë në dokumentet që ka marrë Komiteti nuk tregon “ndonjë shkelje” nga Trumpi.
Fotografitë e publikuara janë pjesë e 95 mijë fotove që paneli ka marrë nga pasuria e Epstein, i cili vdiq në një qeli burgu në New York në vitin 2019.








