Ulutash: KFOR-i ka burime për të parandaluar përshkallëzimin dhe për të adresuar çdo skenar sigurie
KFOR-i ka burime dhe pozicione të mira për të parandaluar përshkallëzimin dhe për të adresuar çdo skenar sigurie, thotë në një intervistë për KosovaPress, komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash. Vlerëson se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë, por e brishtë, derisa shton se KFOR-i vazhdon të monitorojë me vigjilencë.
“Në përgjithësi, situata në terren është e qetë, por mbetet e brishtë. KFOR-i po monitoron situatën. Është vigjilent dhe i vendosur mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mëtejshëm relevant, në përputhje me mandatin e gjatë të OKB-së për të kontribuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, nënvizon ai në intervistën me shkrim për agjencinë tonë.
Në përfundim të mandatit të tij, Ulutash flet edhe për hapjen e Urës së Ibrit, për çka thotë se KFOR-i mban një qëndrim transparent dhe konsistent, duke theksuar se çdo vendim duhet të merret përmes dialogut me komunitetin ndërkombëtar. Shpreh gatishmërinë e NATO-s për të ruajtur paqen.
– KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën.
“Ne jemi të vendosur mirë për të adresuar çdo skenar sigurie dhe për të vazhduar zbatimin efektiv të mandatit tonë të OKB-së. Ne vazhdimisht monitorojmë të gjitha zhvillimet relevante që mund të ndikojnë në sigurinë në mbarë Kosovën dhe rajonin… KFOR-i ka burime dhe pozicione të mira për të parandaluar përshkallëzimin dhe për të adresuar çdo skenar sigurie, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së.”
Në njëvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, komandanti i KFOR-it thotë se presin që autorët të japin përgjegjësi.
“Ne i kemi dënuar sulmet e dhunshme të papranueshme në Banjskë dhe do të vazhdojmë të këmbëngulim që autorët të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë”, thotë Ulutash.