LAJMESPORT

Vazhdojnë provokimet e rënda të tifozëve rumunë

Ishin pak, por provokuan rëndë. “Serbia, Serbia”, “Kosova është Serbi” ishin thirrjet e tifozëve të Rumanisë në “Fadil Vokrri”, të premten mbrëma në ndeshjen ndaj Kosovës. Ndeshja përfundoi 0:0, por më shumë se barazimi shije të hidhur la provokimi i rëndë i tifozëve mysafirë.

Tifozët që ishin në Prishtinë janë anëtarë të grupit “Uniti sub tricolor”. Dhe ata nuk po ndalen me provokime. Tani përmes rrjeteve sociale.

Koha
Florenti Company
Market Florenti
Market Florenti

Ky grup ka qëndrim plotësisht proserb. Në dy postime Kosovës i është referuar si “Srbija, Kosovo i Metohija”.

“Pavarësisht se sa vështirë ishte, ne kryem detyrën tonë”, kanë shkruar huliganët rumunë në një postim të bërë të shtunën mbrëma.

Ta dielën kanë publikuar videon në të cilën për herë të parë dëgjohen qartë thirrjet e tyre në “Fadil Vokrri”. Thirrjet “Serbia, Serbia” dhe “Kosova është Serbi”.

“Duke zgjedhur të shkojmë kudo në botë për vendin tonë, ne ishim të pranishëm edhe në këtë udhëtim duke përfaqësuar Rumaninë, duke ripërsëritur zëshëm qëndrimin për statusin e asaj krahine jolegjitime”, ka shkruar ky tifo-grup.

Edhe në të kaluarën tifozët rumunë kanë thirrur për Kosovën pjesë të Serbisë. Në postimin e “Uniti sub tricolori” shkruan se nuk kanë pasur telashe me tifozët vendës, por vetëm me forcat e rendit. Shumë prej rumunëve, sipas postimit, janë prangosur dhe janë mbajtur për disa orë në arrest.

Për thirrjet “Kosova është Serbi”, UEFA pritet ta dënojë Rumaninë.

Sipas mediave rumune, tifozët rumunë janë ndalur në Beograd në rrugën drejt Kosovës. Atje kanë shpalosur një pano anti-Kosovë e po ashtu kanë shfaqur flamuj të Serbisë mbi hartën e Kosovës.

Rumunët kanë shpalosur edhe një mesazh tjetër anti-Kosovë, ndonëse nuk është saktësuar se ku. Në të shkruan “Kosova nuk është shtet i vërtetë, por vetëm pjellë e imagjinatës”.

Nuk ka pasur ndonjë postim në faqen zyrtare të tifozëve të Kosovës, “Dardanët”, për provokimet e rënda të huliganëve rumunë. Nga FFK-ja nuk kanë komentuar për provokimet e po ashtu përgjigje nuk ka as nga policia për arrestime e të dënuar eventualë.

Është ky provokimi më i rëndë i tifozëve mysafirë në ndeshje të Kosovës në shtëpi deri më tani.

Rumania nuk e njeh shtetin e Kosovës, ndërsa sjelljet huliganeske të tifozëve të saj janë pritur. Ishte vendim që tifozët të largoheshin me të nisur thirrjet që i bënë. Ata kana hedhur edhe mjete të zjarrta, që i kanë futur në stadium, me gjithë forcat e mëdha të rendit./Koha.net