Aquapark 1
02LAJME

Vazhdojnë punësimet e PDK-së: Drita Kadriu punëson mbesën si asistente për nxënësit me nevoja të veçanta

Punësimet partiake premtuan se do t’i ndalojnë. Mirëpo kështu nuk po ndodhë. Me të ardhur në pushtet, qysh në konkurset e para publike, PDK ka filluar me rehatime familjare e partiake, shkruan Mitropol.

Një nga punësimet e familjarëve në institucione publike ka ndodhur edhe në Drejtorinë e Arsimit.

SultanDoner

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu, do i ofrojë kontratën e punës në pozitën e asistentes për fëmijët/nxënësit me nevoja të veçanta vajzës së vëllaut të saj, Gonxhe Kadriut, në testin me shkrim të së cilës pozitë Kadriu mori plot 97 pikë.

“Mitropol” ka siguruar dokumentin ku Gonxhe Kadriu figuron në listën e të pranuarëve në këtë pozitë në konkursin e shpallur nga DKA ku drejtoreshë është halla e saj, Drita.

Praktika e punësimit të favorizuar paraqet shkelje të së paku Konventës Universale për të Drejtat e Njeriut, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të Ligjit Nr. 05/L-021 për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Neni i 6-të i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit specifikon se konflikti i interesit është gjendja e mospajtimit ndërmjet detyrës publike dhe interesave private të zyrtarit të lartë, kur ai ka interesa private të drejtpërdrejta ose të tërthorta, personale ose pasurore, te cilat ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në ligjshmërinë, transparencën, objektivitetin dhe paanësinë e tij gjatë ushtrimit të funksionit publik, poashtu në nenin e 9-të të këtij ligji, pika 1.9. thotë se zyrtarit i ndalohet të ndërmarr veprime të cilat në ndonjë mënyrë do t’i përshtaten interesit personal të tij apo interesit të personave të afërt.

“Mitropol” ka dërguar pyetje në adresë të drejtoreshës Kadriu në lidhje me këtë çështje, mirëpo nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ajo edhe pas dy ditësh pritje.

Mes shumë pyetjesh, portali ka pyetur drejtoreshën e Arsimit se a pranon të ketë pasur ndikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në punësimin e mbesës së saj në këtë pozitë, mirëpo nuk arriti të merrte përgjigje njejtë sikur për pyetjet e tjera të dërguara në adresë të drejtoreshës Kadriu.

Rezultatet e konkursit për pozitën në fjalë u shpallën më 16 qershor 2022, gjersa lista definitive e kandidatëve që plotësojnë kriteret e përcaktuara për këtë pozitë ishte shpallur më 27 maj të këtij viti.

Veç mbesa, edhe një i afërm tjetër i Kadriut pritet të rehatohet në një konkurs publik, rezultatet e testit me shkrim të së cillit cilit u publikuan dy ditë më parë.

“Mitropol” mëson se Fisnik Morina është dhëndrri i motrës së drejtoreshës Kadriu, e i cili u kualifikua në pozitën ‘Zyrtar për Teknologji Informative’ me 97 pikë në testin me shkrim, në QKMF’në “Nexhat Çuni”, konkurs ky i shpallur nga Drejtoria e Shëndetësisë me drejtor Fahri Shabanin, kolegun e Drita Kadriut.

“Mitropol” ka raportuar edhe për punësimet partiake që PDK në bashkëpunim me VV-në bëri në Bordin e Ndërmarrjes Publike “Stacioni i Autobusëve”, gjë për të cilën do vazhdojë raportimin edhe ditëve në vijim.

Veç kësaj, portali do përcjellë dhe monitorojë të gjitha konkurset publike të shpallura nga Komuna e Mitrovicës dhe në ditët në vijim do raportojë edhe për disa punësime tjera me intereferenca partiake.

“Mitropol” nga burimet e veta brenda Komunës së Mitrovicës mëson se të gjithë drejtorëve u është tërhequr vërejtja nga ana e kryetarit të komunës, Bedri Hamza që të mos bëjnë punësime nepotike familjare, por që vajza e axhës së tij, Naxhije Hamza Xhema është rehatuar vet në konkursin për Bordin e Drejtorëve të Stacionit të Autobusëve./Mitropol/

eKiosk