Sot në orët e mëngjesit një person u plagos në rrugën “Fatime Hetemi” në hyrje të rrugës “Ali Zeneli” në Mitrovicë, njofton “Mitropol”.
“Mitropol” mëson se i plagosuri ndërroi jetë në QKUK.
Kjo u konfirmua për “Mitropol” edhe nga vet QKUK.
“Zyra për informim e QKUK-së, ju konfirmon se përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikës Emergjente, një person i plagosur në Mitrovicë, nuk ka arritur të mbijetojë, për shkak të plagëve që ka pasur dhe gjendjes së rënduar shëndetësore!”, tha Shpend Fazliu nga QKUK për “Mitropol”.
Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes kishin thënë për “Mitropol” se i plagosuri mori disa goditje dhe se në vendngjarje u shkrepën disa plumba.
Mitropol mësoi se qytetari i plagosur sot ishte Florim Zeqiri, 40 vjeç, nga Vinarci.
Nga Spitali i Mitrovicës u konfirmua për “Mitropol” se i plagosuri ishte në gjendje të rëndë.
“Pacienti ka marrë plumba në gjoks dhe krahror. Plumbat kanë depërtuar tejpërtej. Pacienti ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. I njejti është vënë në gjumë, është intubuar dhe nisur për QKUK në gjendje të rëndë.”, tha zëdhënësja e Spitalit, Nita Mustafa Hakaj për “Mitropol”.
Detaje për plagosjen për “Mitropol” dha edhe zëdhënësi i Policisë, Avni Zahiti.
”Sot, rreth orës 09:42, në Mitrovicë, është raportuar për një person të lënduar nga arma e zjarrit. Rasti ka ndodhur në rrugën ” Fatime Hetemi”në Mitrovicë. I plagosuri viktima i moshës madhore është derguar për tretman mjeksor.”, tregoi Zahiti./Mitropol/