Nata e mbrëmshme s’ka qenë fare e lehtë për qytetarët e Pejës, kjo pasi që kjo komunë u vërshua nga stuhia dhe shiu i rrëmbyeshëm.
Si pasojë e këtyre vërshimeve, pati edhe viktima, ku sipas një komunikate të Policisë së Kosovës, humbën jetën një fëmijë 5-vjeçar dhe nëna e tij.
Ndërkohë që deri më tani, dihet se edhe dy persona të tjerë janë duke marre tretman mjekësor pasi gjendja e tyre shëndetësore është mjaftë e rëndë.
Peja gjatë mbrëmjes së djeshme, në video e fotografi të postuara në rrjete sociale, shihej pothuajse e shkatërruar.
Vetura të shkatërruara, rrugë të prishura, lokale të rrëmbyera nga uji, ishin vetëm disa nga pamjet që shtonin shqetësimin për gjendjen që do të pasonte në qytetin e Pejës.
Megjithatë situata vazhdon të jetë e njëjtë. Nga disa foto që ka siguruar Insajderi, shihet se qyteti mbetët i shkatërruar dhe dëmet materiale janë mjaftë të mëdha, por që aktualisht nuk ka të reshura të shiut.