Vërshimet në veri: Policia në gatishmëri të plotë, evakuohen familje dhe mbyllet një urë në Leposaviq

Situata e krijuar pas vërshimeve të fundit në veri të vendit vazhdon të jetë nën vëzhgim të vazhdueshëm nga Policia e Kosovës, e cila ka rritur praninë dhe angazhimin në terren me qëllim të garantimit të rendit publik dhe sigurisë së qytetarëve, shkruan Mitropol.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri ka njoftuar se që nga momenti i paraqitjes së reshjeve intensive dhe rritjes së nivelit të ujërave, njësitë policore janë mobilizuar në koordinim të plotë me institucionet e tjera relevante, përfshirë komunat përkatëse, Njësinë e Zjarrfikësve dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave. Ky bashkëpunim institucional ka pasur për synim menaxhimin e situatës dhe parandalimin e rreziqeve potenciale për qytetarët dhe infrastrukturën.
Sipas Policisë, vërshime janë evidentuar në qytetin e Zveçanit si dhe në Mitrovicë Veri, ku në disa zona uji ka depërtuar deri në oborre e shtëpi banimi. Si pasojë e kësaj gjendjeje, në qytetin e Mitrovicës së Veriut janë evakuuar katër familje, pasi shtëpitë e tyre janë përmbytur dhe paraqisnin rrezik për qëndrimin e mëtejmë.
Ndërkohë, më 08 janar 2025, Policia e Kosovës ka pranuar informacion për dëmtimin e një ure në fshatin Beluçe të komunës së Leposaviqit. Sipas njoftimit zyrtar, njëra këmbë e urës është dëmtuar si pasojë e vërshimeve, duke krijuar rrezik serioz për qarkullimin. Menjëherë pas pranimit të informatës, Policia ka njoftuar autoritetet komunale të Leposaviqit dhe përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se ura duhet të mbyllet përkohësisht për arsye sigurie. Aktualisht, qarkullimi në këtë urë është i ndaluar deri në një vendim të radhës nga institucionet kompetente.
Policia e Kosovës vlerëson se situata aktualisht është e menaxhueshme, por monitorimi në terren po vazhdon pa ndërprerje, duke qenë se kushtet atmosferike dhe niveli i ujërave mbeten faktorë të paparashikueshëm.
Nga Policia u është bërë thirrje qytetarëve që për çdo vështirësi apo rast emergjent të kontaktojnë menjëherë në numrin 192, ndërsa institucionet relevante mbeten në gatishmëri për të reaguar në kohë reale.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve, si dhe në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, veçanërisht në situata emergjente kur vendi përballet me rreziqe natyrore”, thuhet në njoftimin zyrtar./Mitropol/








