
Katër ditë më parë në Kosovë një grua dyshohet se u vra në mënyrë mizore nga bashkëshorti i saj.
Liridona Ademajt dyshohet se iu shua jeta nga personi me të cilin zgjodhi të kalonte jetën, nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Murseli dyshohet se organizoi e pagoi vrasjen e gruas së tij, me të cilën ka edhe dy fëmijë.
Teksa kudo në botë po shënohen fushata ndërgjegjësuese për 16 ditë të aktivizmit kundër Dhunës me Baza Gjinore, në Kosovë ‘manifestohet’ me vrasjen e një gruaje.
Se vrasja e grave në Kosovë duhet trajtuar si “Urgjencë Kombëtare” është duke u bërë thirrje për të disatën herë, çështje kjo në të cilën shteti dhe institucionet përkatëse janë duke dështuar për të marrë masat e nevojshme paraprakisht e për të ofruar edhe mbrojtjen e duhur.
Listës së numrit të grave të vrara në Kosovë fatkeqësisht vetëm se po iu shtohet numri. Që nga viti 2010 në Kosovë janë vrarë më shumë se 50 gra, prej nga vetëm vitin e kaluar u vranë 3 prej tyre.
Ani se një numër i madh grash të cilat u vranë duke qenë se nuk ‘ngritën zërin’ për të kërkuar ndihmë për ta parandaluar aktin e tillë mizor, 9 gra të tjera të cilat paraprakisht e kishin adresuar rastin në institucionet përkatëse, sërish përfunduan të vrara.
Mentaliteti patriarkal po lë pasoja të mëdha Kosovë. Në shoqërinë tonë është e dukshme mungesa e ndërgjegjësimit dhe edukimit për dhunën me baza gjinore, e poashtu edhe mungesa e ndëshkimit efektiv për autorët e dhunës si dhe sfidat në zbatimin e ligjit.
Përveç vrasjeve, gratë shqiptare fatkeqësisht po vazhdojnë të jenë viktima të diskriminimit, sulmeve e dhunës sistematike. Në raportet policore për çdo ditë figuron së paku një rast i dhunës apo sulmit ndaj grave në Kosovë.
Një problem kompleks si ky i vrasjes e dhunës ndaj grave, duhet trajtuar në mënyrë urgjente ashtu që të shuhet pasiguria që gratë shqiptare kanë edhe në ambientet ku ato duhet të ndihen më të sigurta se kudo tjetër.
Nuk mjaftojnë vetëm fjalimet histerike e ‘dënimi i dhunës në rrjete sociale’. Shteti dhe të gjitha institucionet përgjegjëse duhet zmbrapsur nga perdja e heshtjes./Mitropol/








